Siguria vetjake, veprimet që ndërmerren për të qenë të sigurt, si dhe perceptimi i sigurisë në lagje dhe komunitet, janë disa nga elementët e Anketës së “Security Meter” të zhvilluar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal në gjashtë ekonomitë e Ballkanit, me rreth 6000 të anketuar në qershor – korrik 2024.
Sipas të dhënave rezulton se 39% e të anketuarve në Shqipëri ndihen të sigurt në vend, përkundrejt 30% as të sigurt as të pasigurt dhe 16% të të anketuarve që nuk ndihen të sigurt.
Ndjesia e sigurisë reflektohet edhe në përgjigjen ndaj veprimeve që ndërmerren për sigurinë personale, me 98% që nuk mbajnë me vete për mbrojtje thikë, armë apo ndonjë mjet tjetër të nevojshëm dhe me 87 % e atyre që nuk kanë instaluar kamera sigurie në banesë. Po kështu, 57% i janë përgjigjur negativisht deklaratës se nuk do të dilnin natën si masë sigurie, kundrejt 43% të të anketuarve të përgjigjur pozitivisht. 98% e të anketuarve janë shprehur se nuk kanë qenë të detyruar të shajnë fenë, etninë apo orientimin personal si masë sigurie.
Perceptimi i sigurisë në lagje
Sa i përket perceptimit të sigurisë në lagje dhe më konkretisht vjedhjes, janë përgjigjur se nuk kanë dëgjuar apo parë një fenomen të tillë: jo shpesh 51%, aspak shpesh 27 %, kundrejt 19 % që kanë parë apo dëgjuar shpesh diçka të tillë. Në dëgjimin shpesh të këtij fenonemi kryesojnë maqedonasit me 28% të ndjekur nga boshnjakët me 24%.
Konsumi i alkoolit në rrugë është një dukuri që 45% e shqiptarëve e shohin jo shpesh, kundrejt 27% që e shohin shpesh dhe vetëm 3 % që e shohin shumë shpesh këtë gjë.
Shqiptarët duket se nuk shohin në përditshmërinë e tyre shitje droge (31% jo shpesh dhe 31% aspak shpesh), zënie në rrugë (42% jo shpesh) apo dhunë familjare (40% jo shpesh). Gjithashtu, lidhur me diskriminin për etninë dhe fenë apo orientimin personal 69% i janë përgjigjur se nuk e shohin aspak shpesh këtë fenomen në lagjen e tyre. Po kështu, 50 % nuk kanë parë aspak shpesh që policia të ndërhyjë me forcë në jetën private të njerëzve, kundrejt 32 % jo shpesh. Ndërsa vetëm 9 % kanë parë shpesh diçka të tillë, përqindja e atyre që kanë parë shumë shpesh një ndërhyrje të këtij lloji është 0%.
Po kështu, 78% e të anketuarve janë përgjigjur se nuk kanë ndonjë mik që përjeton dhunë në familje, kundrejt 18% që kanë një të tillë.
Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë se shqiptarët janë të kënaqur me masat e sigurisë publike (patrullimi i policisë, mbikëqyrja me kamera sigurie, ndriçimi i rrugëve) me 36 % që janë përgjigjur se janë më së shumti të kënaqur, 31 % as të kënaqur apo të pakënaqur, kundrejt 25% të të anketuarve që janë më së shumti të pakënaqur. Vetëm 3% e shqiptarëve janë plotësisht të kënaqur me të gjitha masat e sigurisë./ekofin.al
