Tirana pritet të ketë një tjetër ndërtesë gjigante në horizontin e saj tashmë të mbingarkuar. Një kullë 100-katëshe, e shpallur si më e larta në vend, do të ndërtohet pranë “Malit të Tiranës”, në rrugën e Barrikadave, duke zënë një tjetër hapësirë të gjelbër në qendër të kryeqytetit. Projekti, i quajtur “Tirana Society Towers”, u përzgjodh si fitues mes katër studiosh ndërkombëtare që morën pjesë në konkursin e zhvilluar më 29 korrik të vitit të kaluar. Juria ka zgjedhur propozimin e arkitektit të njohur kilian, Alejandro Aravena dhe studios së tij ELEMENTAL.
Ndërtimi i kullës parashikohet të kryhet nga dy kompani shqiptare: “Delta” e Luan Muçës dhe “Techno Alb” e Daljan Avdiajt. Të dyja kompanitë kanë ndërtuar më parë kulla, por asnjëherë me këtë lartësi.
Ndërkohë, qendra e Tiranës prej vitesh është shndërruar në një kantier pa kriter, ku inercia e ndërtimeve të larta ka zhvendosur konceptin urbanistik të një zone historike të mbrojtur. Brenda një territori që dikur kishte status të veçantë, sot po ngrihen shtatë kulla të tjera.
Në këtë hapësirë tashmë të mbingarkuar me projekte, “Rock of Tirana” po përfundon me 24 kate në formën e bustit të Skënderbeut, ashtu si “New Tirana International Hotel”, me 33 kate. Ndërkohë kompleksi “Book Building”, vetëm 8 metra larg Kullës së Sahatit, po ndryshon tërësisht hapësirën ikonike të qendrës. “Eyes of Tirana”, kulla 24-katëshe pranë Bankës së Shqipërisë, mori miratimin e KKT-së në vitin 2017, duke zhdukur një tjetër hapësirë publike të qytetit. “Forever Green”, një projekt që nisi në vitin 2011 dhe u përfundua vetëm pas 14 vitesh pas falimentimit të kompanisë së parë, është një tjetër shembull i cikleve të stërzgjatura dhe të paqarta të ndërtimit në kryeqytet. Ndërkohë, pas godinës së Operas pritet të ngrihet edhe “Tirana Mount”, kulla 185-metërshe, ndërsa “Tirana Society Towers” do të shërbejë si një tjetër strukturë gjigante në këtë skenar të ri të ndërtimit vertikal.
Ky transformim i shpejtë dhe i pakontrolluar i Tiranës, që shpesh zhvendos hapësira të gjelbra dhe ndërtime me vlerë historike, ka hapur debate të forta mbi modelin e zhvillimit. Kullat paraqiten nga institucionet si simbole të modernizimit dhe atraktivitetit ekonomik, por për qytetarët e zakonshëm, ato shpesh përkthehen në humbje hapësirash publike, rritje densiteti, më pak dritë, më shumë trafik dhe një urbanistikë që nuk reflekton identitetin origjinal të qytetit.
Ndërkohë, eksperienca e viteve të fundit ka treguar se jo çdo kullë e miratuar përfundon realisht e ndërtuar. Disa projekte kanë mbetur vetëm në letër, të tjera kanë pësuar vonesa të mëdha, dhe shumë prej tyre janë stërzgjatur, si “Forever Green”. Arsyeja kryesore janë kostot marramendëse të investimeve të tilla dhe vështirësia në sigurimin e financimeve të vazhdueshme në tregun shqiptar. Kjo e bën të paqartë edhe fatin e projekteve të fundit të miratuara, përfshirë ato më ambiciozet, të cilat kërkojnë kapitale të jashtëzakonshme dhe një klimë të qëndrueshme ekonomike për t’u materializuar. /ekofin.al
