Pas mbledhjes së Qeverisë, Ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjetikës, Belinda Balluku tha se po diskutohet për vendosjen e një fashe për përdoruesit familjarë, që do të bëjë diferencimin e çmimit të energjisë.
“Kemi thënë që qeveria shqiptare do të bëjë çmos të mbrojë biznesin familjar. Sa i përket biznesit e lidhur me tensionin e mesëm, kemi pasur komunikim të vazhdueshëm. Kemi mbledhur ankesat dhe kërkesën e tyre për mbështetje. Do të vazhdojmë me të njëjtën skemë. Do e konsolidojmë deri në vazhdim të javës tjetër. Sa i përket planit për analizën e bërë kemi bërë analizë të thelluar. Do të aplikojmë të njëjtin çmim, por nëse fasha do të jetë deri në 800 do të bëjmë analizat e duhur, kemi evidentuar konsumatorë familjar me 5 mijë kw harxhime. Megjithatë kjo energji do të paguhet me një çmim më të lartë se sa paguhet energjia për konsumet bazike”, tha Balluku.
Ndërkohë, ministrja theksoi se qeveria shqiptare do të vijojë të mbrojë, përveç konsumatorit familjar dhe biznesit të vogël, edhe biznesin e lidhur në tensionin e mesëm nga rritja e çmimit të energjisë elektrike.
“Qeveria shqiptare do të bëjë të pamundurën për të mbrojtur abonentin familjar dhe bizneset e vogla. Kemi vijuar komunikimin me përfaqësuesit e 7476 bizneseve të tensionit të mesëm. Kemi mbledhur kërkesat e tyre për mbështetje dhe besoj se do të vijohet me të njëjtën skemë, por në javën e ardhshme do të ketë më tepër detaje”, tha Balluku.
7476 biznese të lidhura në tension të mesëm 6,10 dhe 20 kilovolt, nga 1 janari kishin detyrimin e daljes në tregun e lirë, por që pas shqetësimit të tyre për koston e lartë qeveria vendosi që t’i mbante me një çmim preferencial deri në qershor.
Ekofin.al