Skema e re kombëtare e bujqësisë që pritet të nisë në 1 tetor 2024, së bashku me përfitimet e granteve, mund të ndikojë edhe në rritjen e numrit të fermerëve dhe të vetëpunësuarve në bujqësi. Rezultati i skemës së subvencionit të naftës për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi ishte edhe regjistrimi i fermerëve me Nipt.
Nga shifrat zyrtare të Insititutit të Sigurimeve Shoqërore, për periudhën janar – qershor 2024 numri i të siguruarve si të vetëpunësuar në bujqësi arriti në 24,930, duke u rritur me 15.2% më shumë se njëjta periudhë një vit më parë, ndërkohë që viti 2023 u mbyll me 75.451 fermerë kontribues në skemën e sigurimeve shoqërore.
Referuar legjislacionit në fuqi, i vetëpunësuari në bujqësi, që banon në zonat fushore, duhet të derdhë kontributet për sigurimet shoqërore, kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 38, 400 lekësh, ndërsa ata që banojnë në zonat malore paguajnë 29. 400 lekë në vit.
Derdhja e kontributeve u jep të vetëpunësuarve në bujqësi të drejtën e përfitimit të pensionit. Pensioni i pleqërisë për këto kategori është mesatarisht 9,656 lekë në muaj, i invaliditetit 8,195 lekë dhe familjar 2,516 lekë në muaj, ndërsa në zonat urbane është dyfish më shumë.
Aktualisht, numrin më të madh të fermerëve kontribues e ka qarku Fierit, ndjekur nga Elbasani, Vlora, Korça dhe Tirana, ndërsa numri më i ulët regjistrohet në Kukës.

