Në mungesë të fondeve të Bashkimit Evropian, përmes programeve në mbështetje të bujqësisë si IPARD, të pezulluara që nga viti 2023 për shkak të hetimeve për parregullsi, skemat e garancisë dhe ato me instrumentin e ndarjes së rrezikut janë një mundësi e mirë për fermerët për të siguruar mbështetje dhe financim, edhe pa përdorim të gjerë kotalerali.
Në vitin 2016, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare lançoi programin për Mbështetjen e Agrobiznesit dhe Turizmit në Shqipëri, të quajtur AATSF, me përfshirjen e institucioneve kredituese në vend. Por duket se tani më shumë se kurrë, sektori bujqësor, ku vlerësohet se punësohen rreth 50% e popullsisë së zonave rurale, si edhe përbën rreth 19% të PBB-së, ka nevojë për mbështetje dhe financim.
Kjo për shkak se skemat kombëtare të mbështetjes, të financuara nga Buxheti i Shtetit, janë të pamjaftueshme përballë nevojave gjithnjë e në rritje, për investime dhe kapital qarkullues. Banka ProCredit ishte institucioni i pare financiar që u përfshi në skemën e financimit të BERZH 8 vite më parë, pjesë e së cilës u bënë më tej edhe tre banka të tjera tregtare në vend.
Së fundmi, Banka ProCredit njoftoi rinovimin e marrëveshjes së financimit me BERZH, në mbështetje të kësaj skeme që u vjen në ndihmë fermerëve dhe SME-ve në fushën e turizmit. Sipas marrëveshjes së re, BERZH financon 10 milionë Euro për ProCredit në kuadër të Ndarjes së Riskut të Portofolit, duke siguruar kështu më shumë mbështetje për linjat e kreditimit në bujqësi dhe turizëm.
Në këtë mënyrë, ProCredit do të vijojë të ofrojë financim me kushte të favorshme për biznese si fabrika të përpunimit të qumështit, mishit, prodhues të vajrave ushqimore dhe ushqimeve të paketuara; tregtues të pajisjeve, makinerive dhe automjeteve bujqësore, dhoma frigoriferike; tregtues me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore; procesues dhe prodhues të produkteve bujqësore; fermat për mbarështimin e gjësë së gjallë; kultivues të perimeve në fushë të hapur apo sera, si edhe për bizneset që operojnë në fushën e turizmit.
Përveç financimit me kushte lehtësuese, për shkak të përdorimit të skemave të garancisë dhe instrumentit të ndarjes së rrezikut, bizneset mund të përfitojnë edhe një grant në masën 10% të shumës së financimit. Ekofin.al
