Qeveria ka miratuar udhëzimin për zbatimin e skemës kombëtare të mbështetjes në bujqësi për vitin 2026, dokument që përcakton në detaje mënyrën e administrimit të fondit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, kriteret e përfitimit, procedurat e aplikimit dhe kontrollet që do të kryhen për fermerët dhe subjektet përfituese. Dokumenti, të cilin e disponon Ekofin.al, është firmosur nga Ministri i Bujqësisë dhe Ministri i Financave dhe parashikon 12 masa mbështetëse financiare për sektorin bujqësor dhe blegtoral.
Sipas udhëzimit, fondi i programit për vitin 2026 do të përdoret për pagesa direkte dhe investime në ferma, me fokus rritjen e prodhimit, formalizimin e aktivitetit bujqësor dhe modernizimin e sektorit. Në listën e masave përfshihen subvencionet për tufën bazë të matrikulluar të gjedhit, delet dhe dhitë, mbështetja për bletarinë, pagesat për dosat dhe matrikullimin e tyre, subvencionet për serrat dhe tunelet plastike, fermat organike, certifikimin Global GAP, ripopullimin e peshkut, si edhe grantet për investime në ferma bujqësore dhe blegtorale.
Pagesa më e lartë direkte parashikohet për lopët riprodhuese, ku fermerët mund të përfitojnë deri në 12 mijë lekë për krerë për tufën bazë të matrikulluar, ndërsa për delet dhe dhitë subvencioni arrin në 5 mijë lekë për krerë. Për bletarinë, masa mbështetëse është 2 mijë lekë për zgjua, me kusht që aplikanti të ketë të paktën 25 koshere. Për dosat dhe matrikullimin e tyre mbështetja arrin deri në 7 mijë lekë për krerë.
Ndër komponentët kryesorë të skemës mbetet mbështetja për serrat dhe tunelet plastike. Fermerët që kultivojnë perime në sera mund të përfitojnë deri në 400 mijë lekë në vit për blerjen e materialeve biologjike, përfshirë insektet e dobishme për kontroll biologjik, ndërsa subjektet me status SHBB mund të marrin deri në 500 mijë lekë. Përfitimi jepet vetëm për sipërfaqe minimale të kultivuara dhe për fermerë të regjistruar në sistemet zyrtare të identifikimit.
Skema mbështet edhe fermat organike, ku për subjektet në kalim drejt certifikimit organik financimi arrin deri në 200 mijë lekë në vitin e parë dhe 150 mijë lekë në vitet pasuese. Ndërkohë, për certifikimin Global GAP mbulohen kostot e analizave dhe certifikimit deri në 175 mijë lekë për certifikim individual dhe deri në 700 mijë lekë për certifikimin në grup të fermerëve.
Në pjesën e investimeve, udhëzimi parashikon mbështetje deri në 70% të vlerës së faturave tatimore për investime në ferma bujqësore dhe blegtorale, por jo më shumë se 1 milion lekë për subjekt. Financohen ndërtimi apo rikonstruksioni i stallave, blerja e pajisjeve dhe makinerive bujqësore, sistemet e ujitjes, pajisjet për përpunim, investimet për energji të rinovueshme dhe modernizimi i proceseve të punës.
Dokumenti përcakton në mënyrë të detajuar edhe procedurat e aplikimit. Aplikimet për të gjitha masat do të hapen nga data 25 maj deri më 26 qershor 2026 dhe do të kryhen online përmes portalit e-Albania. Aplikanti duhet të identifikohet në sistem dhe të plotësojë formularin elektronik për masën përkatëse, duke ngarkuar dokumentacionin e kërkuar. Pas përfundimit të aplikimit, sistemi gjeneron automatikisht një numër unik aplikimi dhe një formular që duhet të printohet dhe ruhet nga aplikanti.
Sipas udhëzimit, fermerët mund të aplikojnë vetëm nëse kanë NIPT aktiv dhe janë të regjistruar në regjistrin elektronik të fermës. Për shumë nga masat kërkohet gjithashtu regjistrimi i kafshëve në sistemin RUDA, regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit për subjektet juridike dhe mungesa e detyrimeve ndaj AZHBR-së apo administratës tatimore.
Procedura e aplikimit shoqërohet me një numër të madh dokumentesh mbështetëse. Për pagesat direkte kërkohen dokumente identifikimi, vërtetim bankar për llogarinë aktive, dokumente të regjistrimit të fermës dhe dokumente që provojnë matrikullimin e kafshëve apo sipërfaqet e mbjella. Për investimet kërkohen fatura tatimore, preventivë, kontrata, dokumente pronësie ose qiraje për tokën dhe ambientet, si edhe projekte teknike për ndërtimet.
Udhëzimi parashikon se AZHBR do të kryejë kontroll administrativ për çdo aplikim, ndërsa një pjesë e subjekteve do t’i nënshtrohen edhe verifikimit në terren. Kontrollet do të fokusohen te ekzistenca reale e fermës, numri i kafshëve, sipërfaqet e mbjella, investimet e kryera dhe përputhshmëria e dokumenteve me deklarimet e bëra nga aplikanti. Në rast se konstatohen deklarime të rreme apo parregullsi, aplikimi refuzohet dhe subjekti mund të përjashtohet nga skemat mbështetëse.
Një tjetër element i rëndësishëm është renditja automatike e aplikimeve për investime sipas sistemit të pikëzimit. Pikët jepen në bazë të llojit të investimit, madhësisë së fermës, moshës së aplikantit, statusit SHBB dhe elementeve të tjera prioritare. Për shembull, fermerët e rinj dhe subjektet që investojnë në energji të rinovueshme apo teknologji moderne përfitojnë pikë shtesë.
Në dokument përcaktohet gjithashtu se pagesat do të realizohen vetëm pasi të jenë kryer verifikimet dhe pasi AZHBR të ketë konfirmuar përmbushjen e kritereve. Fondet do të kalojnë në llogaritë bankare të përfituesve dhe subjektet do të monitorohen edhe pas marrjes së mbështetjes, sidomos për investimet me vlerë të lartë.
Udhëzimi përfshin edhe kushte përjashtuese. Nuk mund të përfitojnë fermerët apo subjektet që kanë detyrime të pashlyera ndaj AZHBR-së, që rezultojnë me dokumente false, apo që janë subjekt i procedimeve për mashtrim me fondet publike. Po ashtu, përjashtohen aplikantët që kanë lidhje me aktivitete kriminale apo janë nën masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi. /ekofin.al

