Prokurorët turq kanë kërkuar leje për të hetuar ish-kreun e autoritetit rregullator të tregjeve të kapitalit, nën dyshimet për shpërdorim detyre, ndërsa një skandal i madh me fondet e investimit vazhdon të tronditë tregjet financiare, raportuan mediat turke.
Turqia po përballet me pasojat e skandalit që nga mesi i shtatorit, kur prokurorët nisën hetimet për pretendimet për manipulim të gjerë të tregut.
Një gjykatë në Stamboll vendosi masën e paraburgimit për 20 të dyshuar të tjerë, duke e çuar në 85 numrin e përgjithshëm të personave të ndaluar në kuadër të hetimeve të lidhura me këtë çështje.
Skandali ka sjellë tashmë dorëheqjen e Fatma Betül Sayan Kaya, një figurë e lartë e partisë në pushtet dhe ish-ministre, pas pretendimeve se ajo dhe bashkëshorti i saj përfituan nga transaksione me aksione të lidhura me krizën.
Në një shkresë drejtuar Ministrisë së Thesarit dhe Financave, të datës 30 shtator, prokurorët kërkuan leje për të hetuar İbrahim Ömer Gönül, ish-kreun e Bordit të Tregjeve të Kapitalit (SPK), për shpërdorim detyre. Ministria më pas ngarkoi Bordin e saj të Inspektimit të kryejë një shqyrtim paraprak.
Sipas prokurorëve, ka “tregues të qartë dhe të mjaftueshëm” se Gönül nuk i ka përmbushur përgjegjësitë e inspektimit dhe mbikëqyrjes gjatë mandatit të tij katërvjeçar, i cili përfundoi në prill.
Më herët gjatë javës, Gönül kishte dhënë tashmë deklarime para prokurorëve si i dyshuar në hetimin më të gjerë për fondet.
SPK-ja është përgjegjëse për mbrojtjen e investitorëve dhe për të garantuar funksionimin e drejtë, transparent dhe efikas të tregjeve të kapitalit në Turqi.
Kriza shpërtheu kur disa fonde investimi nuk arritën të përmbushnin kërkesat e investitorëve për të tërhequr paratë gjatë valës së shitjeve në treg në mesin e shtatorit. Kjo shkaktoi një rënie të fortë të indeksit kryesor të Bursës së Stambollit.
Më pas, SPK-ja urdhëroi likuidimin e 131 fondeve të administruara nga shtatë shoqëri të administrimit të portofolit. Sipas rregullatorit, fondet kishin 455,758 investitorë individë, ndërsa ministri i Thesarit dhe Financave, Mehmet Şimşek, i ka vlerësuar aktivet e tyre në rreth 18.3 miliardë dollarë.
“Prioriteti ynë kryesor është të parandalojmë dëmtimin e ekonomisë turke”, deklaroi të shtunën presidenti Recep Tayyip Erdoğan.
“Prioriteti ynë i dytë është të sigurojmë që kushdo që ka siguruar përfitime të padrejta të japë llogari përpara drejtësisë. Po punojmë për ta zgjidhur shpejt këtë çështje, mbi bazën e drejtësisë dhe paanshmërisë, pa cenuar të drejtat e askujt”, tha ai./ekofin.al
