Nga një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit në institucionet përgjegjëse për menaxhimin mjedisor dhe procedurat e prokurimit publik janë evidentuar shkelje të rënda dhe mangësi në administrimin e venddepozitimit të mbetjeve urbane në fshatin Piskovë të Bashkisë Përmet. Në përfundim të auditimit janë konstatuar 7 gjetje dhe janë dhënë 7 rekomandime me karakter organizativ, ndërsa për 11 zyrtarë është kërkuar marrja e masave disiplinore.
Procedura e parregullt e prokurimit dhe mungesë kontrolli në venddepozitim
Nga inspektimi në terren rezultoi se venddepozitimi në Piskovë funksionon pa ndarje të mbetjeve, pa presim dhe shtresëzim të rregullt, pa masa mbrojtëse të plota dhe pa mbulim të mbetjeve me dhè. Një pjesë e mbetjeve ndodhen jashtë gropës kryesore, duke krijuar rrezik për ndotje të ujërave sipërfaqësorë. Venddepozitimi nuk ka mbikëqyrje të vazhdueshme, gjë që ka çuar në hyrje të paligjshme dhe zjarrvënie.
Për venddepozitimin ekzistues të Piskovës mungon dokumentacioni që përfshin studimin sizmik, klimatiko-meteorologjik, vërtetim nga kadastra e bashkisë /qarkut mbi kategorizimin e truallit që kërkohet për shfrytëzim, vëzhgime, prova dhe testime të terrenit, opinioni publik (dëgjesa me publikun), dokumentat e pronësisë, procedurat e përzgjedhjes së vendit për ndërtimin e landfillit (është marrë në konsideratë vetëm një alternativë), vlerësimi ekonomik, oponenca teknike nga Instituti i Ndërtimit, miratimi i studimit në organet e tjera përkatëse.
Nga auditimi rezulton gjithashtu se leja infrastrukturore për ndërtimin e venddepozitimit është miratuar në kundërshtim me “Planin Kombëtar Sektorial për Menaxhimin e mbetjeve të ngurta”, si dhe Bashkia Përmet nuk ka aplikuar pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për mbylljen e venddepozitimeve ilegale, në kundërshtim me Vendimin nr. 452, datë 11.7.2012 “Për lendfillet e mbetjeve”.
Por procedura çalon gjithashtu edhe në fazën e prokurimit. Nga auditimi ka rezultuar se subjekti i audituar, në disa raste nuk ka vepruar në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore, të cilat kanë shërbyer si kritere vlerësimi, duke u evidentuar mangësi në përmbushjen e kritereve të vendosura në procedurat e prokurimit dhe përcaktimeve ligjore të procedurës së prokurimit elektronikisht; në përpilimin e saktë të procesverbaleve të mbajtura nga grupet e punës; si dhe mangësive argumentuese.
Gjithashtu, në dosjen e prokurimit “Shërbim konsulence” mungon marrëveshja e noterizuar mes operatorëve ekonomikë, në kundërshtim me ligjin për prokurimet publike.
Sipas raportit as Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura nuk kanë kryer inspektime në venddepozitimin e Piskovës dhe në Parkun Kombëtar “Bredhi i Hotovës-Dangëlli”, duke shkelur ligjet për zonat e mbrojtura dhe vlerësimin e ndikimit në mjedis.
KLSH ka kërkuar masa disiplinore ndaj 11 zyrtarëve nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, AKZM, AKM dhe Bashkia Përmet, përfshirë drejtues të lartë si sekretari i përgjithshëm dhe drejtorë të politikave mjedisore. Ministria dhe institucionet e tjera janë urdhëruar të ndjekin procedurat ligjore për masat dhe të njoftojnë Departamentin e Administratës Publike dhe Komisionerin për Shërbimin Civil. /ekofin.al

