Kuvendi miratoi me 74 vota pro dhe 49 kundër Aktin Normativ për ndryshime në buxhetin e vitit 2021.
Nevoja për këtë Akt Normativ lidhet me dy çështje emergjente, përballimin e krizës energjetike, si pasojë e rritjes së menjëhershme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, si dhe daljen me Eurobond në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha në fjalën e saj në seancë se përmes këtij akti normativ nuk pësojnë ndryshime treguesit e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore për vitin 2021.
Kjo është hera e pestë që Shqipëria kërkon financim në tregjet e kapitalit ndërkombëtar, përmes Eurobondit.
Ministrja tha se Shqipëria ka siguruar gjithnjë interesa më të ulëta dhe interesi i investitorëve ka qenë gjithnjë në rritje.
Pika tjetër e parashikuar në rend të ditës, projektvendimi “Për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar “Për realizimin e reformës zgjedhore”, me kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj, u shty për në seancën plenare të radhës.