Bashkia Himarë ka hapur tenderin me fond limit 58,329,791.7 lekë pa TVSH për rikonstruksionin e rrugës hyrëse dhe të qendrës së fshatit Palasë.
Investimi është ndarë në dy lote: 33,333,333 lekë pa TVSH për rikonstruksionin e rrugës hyrëse dhe 24,996,458.7 lekë pa TVSH për rikonstruksionin e qendrës së fshatit.
Për lotin e parë, që përfshin rrugën hyrëse, afati i realizimit është 7 muaj, ndërsa për lotin e dytë, qendrën e Palasës, punimet parashikohen të zgjasin 4 muaj.
Relacioni teknik i projektit për qendrën e Palasës e lidh ndërhyrjen me problematikat që paraqet sot infrastruktura publike e fshatit, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Sipas dokumentit, sipërfaqet e qendrës kanë dëmtime të shtresave, deformime lokale dhe konsumim të materialeve, ndërsa në disa segmente ka mospërputhje të kuotave që vështirësojnë lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve. Dokumenti evidenton gjithashtu se organizimi aktual i qarkullimit nuk i përgjigjet fluksit të zonës, sidomos kur rritet numri i vizitorëve.
Një nga problematikat kryesore është parkimi. Relacioni vlerëson se hapësirat ekzistuese janë të pamjaftueshme dhe jo të organizuara sipas kritereve bashkëkohore, çka sjell parkim të çrregullt përgjatë rrugëve dhe hapësirave publike dhe vështirëson qarkullimin. Projekti synon sistemimin e zonave të parkimit dhe riorganizimin e lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve në qendër.
Ndërhyrja parashikon gjithashtu përmirësimin e sistemit të largimit të ujërave të shiut. Sipas relacionit, gjatë reshjeve krijohen grumbullime ujërash në disa zona për shkak të mangësive në infrastrukturën ekzistuese. Projekti parashikon ndërtimin e një rrjeti për kanalizimin e ujërave të bardha, me tubacione, zgara dhe elementë të tjerë për grumbullimin dhe shkarkimin e ujërave sipërfaqësore, me synim mbrojtjen e rrugëve dhe hapësirave publike nga përmbytjet lokale dhe erozioni.
Pjesë e projektit do të jetë edhe modernizimi i ndriçimit publik, me rrjet elektrik nëntokësor dhe ndriçues LED, si dhe vendosja e sinjalistikës horizontale dhe vertikale. Dokumenti parashikon ndërhyrje edhe në sipërfaqet e qarkullimit, kalimet e këmbësorëve, elementët e sigurisë rrugore dhe infrastrukturën nëntokësore, duke synuar që rrjetet e reja të integrohen me ato ekzistuese.
Sipas relacionit, Palasa është zonë me banim gjatë gjithë vitit, por me rritje të fortë të përdoruesve gjatë sezonit turistik, çka shton presionin mbi rrugët, parkimin dhe hapësirat publike. Projekti e trajton rikualifikimin e qendrës jo vetëm si ndërhyrje infrastrukturore, por edhe si pjesë të përmirësimit të funksionimit të zonës për banorët dhe vizitorët, duke ruajtur karakterin urban dhe arkitektonik të fshatit. /ekofin.al
