Turizmi në Shqipëri pritet të ketë databazën e parë të mirëfilltë. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hedhur për konsultim publik projektvendimin për krijimin dhe funksionimin e një baze të re shtetërore të të dhënave në sektorin e turizmit, e cila synon të mbledhë informacion në këtë sektor kyç për ekonominë.
Vendimi përcakton strukturën, burimet dhe përdoruesit e sistemit të ri, i cili do të përfshijë të dhëna parësore dhe dytësore të lidhura me agjencitë turistike, udhërrëfyesit, strukturat akomoduese, operatorët detarë dhe subjektet e agroturizmit.
Sistemi pritet të ketë tri regjistra themelorë: Regjistri Qendror i Turizmit për regjistrimin dhe menaxhimin e subjekteve turistike. platformën e-Visitor për regjistrimin elektronik të vizitorëve në strukturat akomoduese, si dhe sistemin e të Dhënave të Turizmit për mbledhje, analizë dhe vizualizim të të dhënave në kohë reale.
Baza e të dhënave shtetërore në Sistemin e të Dhënave në Turizëm, përbëhet nga: a) të dhënat mbi subjektet që ushtrojnë veprimtari si agjenci turistike; b) të dhënat mbi subjektet që ushtrojnë veprimtari si udhërrëfyes turistik; c) të dhënat mbi subjektet që ushtrojnë veprimtari si stuktura akomoduese; d) të dhënat mbi subjektet që ushtrojnë veprimtari si operator i turizmit detar; e) të dhënat mbi subjektet që ushtrojnë veprimtari si agroturizëm; f) të dhënat mbi subjektet që ushtrojnë veprimtari si operator turistik; g) te dhënat e ardhura nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura; h) të dhënat e ardhura nga Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore; i) të dhënat e ardhura nga Instituti i Statistikave; j) të dhënat e ardhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit; k) të dhënat e ardhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Kufirit.
Të dhënat do të mblidhen nga një sërë institucionesh publike dhe subjektesh private, përfshirë Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), INSTAT-in, Drejtorinë e Policisë së Shtetit, Bankën e Shqipërisë, si dhe vetë agjencitë turistike dhe hotelet.
Ministria e Turizmit do të jetë përgjegjëse për administrimin e sistemit, ndërsa Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) do të garantojë funksionimin teknik dhe sigurinë e tij, në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Databaza do të përpunojë vetëm të dhëna statistikore, duke përjashtuar të dhënat personale.
Plani sektorial i Turizmit
Duke e vlerësuar si një sektor me risk të lartë për shmangie tatimore, Administrata Tatimore ka publikuar një plan operacional me masa të posaçme për sezonin turistik 2025. Ky plan përfshin struktura akomoduese, bare, restorante, agroturizëm, shërbime plazhi, dhënie me qira të makinave, ambienteve dhe aktivitete të tjera të lidhura me turizmin.
Vetëm pak ditë më parë, Tatimet publikuan referencat e pagave në turizëm, të cilat variojnë nga 60 mijë lekë për punëtorët e ndryshëm, 70 mijë lekë për kamarierët dhe 140 mijë lekë për kuzhinierët.
Referencat e publikuara nga Tatimet do të shërbëjnë gjithashtu për vlerësimin e riskut të tatimpaguesve që shmangin pagesën reale të pagave të punonjësve.
Gjithashtu qeveria ka vendosur me VKM një referencë për shfrytëzimin e kapaciteteve të njësive akomoduese, por e cila ende nuk ka mundur të zbatohet në praktikë për vjeljen e taksave në masën e duhur nga operatorët.
Plani sektorial i turizmit synon rritjen me 20% të numrit të tatimpaguesve me përgjegjësi TVSH, me normën e reduktuar 6%, shoqëruar me rritjen e të ardhurave nga TVSH në turizëm dhe rritje me 10% e tatimpaguesve deklarues në bar-restorante dhe akomodim. /ekofin.al

