Gjatë vitit 2025, tregu shqiptar i sigurimeve ka paguar rreth 8.59 miliardë lekë dëme bruto ose 89.4 milionë euro, duke shënuar një ulje të lehtë prej 0.75% krahasuar me vitin 2024, kjo ndikuar kryesisht nga rënia e pagesës së dëmeve në tregun e Jetës. Ndërkohë numri i dëmeve të paguara është rritur, duke reflektuar një intensitet më të lartë të trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim.
Në total, gjatë vitit 2025 janë paguar 75,996 dëme, ose 2,514 më shumë se në vitin 2024. Prej tyre, 72,538 dëme janë paguar nga shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës, 3,457 dëme nga sigurimet e Jetës dhe 1 dëm nga risigurimi.
Jo-Jeta mban barrën kryesore të pagesave të dëmeve
Shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës vijojnë të dominojnë pagesat e dëmeve në treg. Në vitin 2025, këto shoqëri kanë paguar rreth 7.89 miliardë lekë dëme bruto, nga 7.86 miliardë lekë në vitin 2024, duke shënuar një rritje shumë të lehtë prej 0.35% në vlerë.
Edhe pse vlera totale është rritur minimalisht, numri i dëmeve të paguara nga Jo-Jeta është rritur ndjeshëm, duke arritur në 72,538 raste, nga 70,006 dëme në vitin 2024. Kjo tregon se tregu po përballet me më shumë kërkesa për dëmshpërblim, por me një kosto mesatare për dëm relativisht të kontrolluar.
Në nivel shoqërish, struktura e tregut mbetet e përqendruar, me disa kompani që mbajnë peshën kryesore të pagesave, ndërsa dinamika vjetore reflekton diferenca të dukshme në ritmet e rritjes apo uljes së dëmeve të paguara.
Sigurimet motorike, mbi 76% e të gjitha dëmeve të paguara
Sigurimi motorik vijon të jetë segmenti më i ekspozuar ndaj pagesave të dëmeve. Gjatë vitit 2025, dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik arritën në rreth 6.54 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 4.78% krahasuar me vitin 2024.
Ky segment përfaqëson 76.09% të totalit të dëmeve të paguara bruto në treg, duke konfirmuar edhe një herë rolin dominues të motorikut në riskun financiar të shoqërive të sigurimit. Krahas rritjes së vlerës, struktura e tregut tregon zhvendosje të lehta në pjesët e tregut mes shoqërive, me disa kompani që kanë rritur pagesat dhe të tjera që kanë shënuar ulje.
MTPL, rritje dyshifrore e dëmeve të paguara
Në mënyrë më të detajuar, Sigurimi i Detyrueshëm Motorik – MTPL ka qenë një nga segmentet me rritjen më të fortë të dëmeve të paguara. Në vitin 2025, dëmet e paguara bruto në këtë produkt arritën në rreth 4.72 miliardë lekë, nga 4.27 miliardë lekë në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 10.59%.
Kjo rritje vjen në një kohë kur edhe primet e sigurimit të detyrueshëm motorik janë zgjeruar ndjeshëm, por ritmi më i lartë i dëmeve tregon për presion të shtuar mbi rentabilitetin teknik të këtij segmenti. Në disa shoqëri, rritja e dëmeve ka qenë dukshëm mbi mesataren e tregut, ndërsa në të tjera është shënuar një ulje.
Një treg më aktiv, por me kosto të kontrolluara
Në tërësi, viti 2025 konfirmon një treg sigurimesh më aktiv në trajtimin e dëmeve, me rritje të numrit të rasteve të paguara, por me një vlerë totale relativisht të qëndrueshme në nivel tregu. Megjithatë, pesha shumë e lartë e sigurimeve motorike – dhe veçanërisht e MTPL-së së brendshme – mbetet një sfidë strukturore për qëndrueshmërinë afatmesme të tregut, sidomos në kushtet e rritjes së vazhdueshme të kostove të dëmshpërblimeve. /ekofin.al

