Ndërsa Shqipëria po përballet gjithnjë e më shpesh me zjarre masive, përmbytje, stuhi dhe fenomene të tjera ekstreme natyrore, ndërgjegjësimi për sigurimin e pronës vazhdon të ecë në drejtimin e kundërt. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 tregojnë se qytetarët dhe bizneset po blejnë më pak sigurime për pronën, pikërisht në një periudhë kur rreziku është bërë më i lartë se kurrë.
Në të gjithë Europën dhe rajonin e Ballkanit vihet re një tendencë në rritje e sigurimit të banesave dhe bizneseve, e nxitur nga ndryshimet klimatike dhe shtimi i fatkeqësive natyrore. Në Shqipëri, megjithatë, situata mbetet paradoksale. Edhe pse vendi është ndër më të ekspozuarit ndaj tërmeteve, përmbytjeve dhe zjarreve, tregu i sigurimit të pronës ka shënuar tkurrje.
Sipas të dhënave të AMF-së, primet bruto të shkruara në sigurimin “Zjarri, Forcat e Natyrës dhe Dëmtime të tjera në Pronë” ranë në 1.43 miliardë lekë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, nga 1.70 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo përfaqëson një rënie prej 15.74%.
Ky është një produkt sigurimi që në pjesën më të madhe lidhet me kreditë hipotekore për blerjen e banesave, pasi bankat zakonisht e kërkojnë si kusht financimi. Megjithatë, jashtë këtij segmenti, sigurimi vullnetar i pronës mbetet ende shumë i ulët, duke reflektuar mungesën e kulturës së menaxhimit të riskut dhe ndërgjegjësimit për pasojat financiare që mund të sjellin fatkeqësitë natyrore.
Në kontrast të plotë me rënien e primeve qëndrojnë dëmet e paguara nga shoqëritë e sigurimit. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, kompanitë kanë paguar 407.7 milionë lekë dëmshpërblime në këtë kategori, nga 221.4 milionë lekë një vit më parë, ose 84.18% më shumë.
Rritja e ndjeshme e dëmeve është një tregues i qartë se ngjarjet e siguruara po shtohen, por njëkohësisht dëshmon edhe kapacitetin financiar të kompanive të sigurimit për t’iu përgjigjur qytetarëve dhe bizneseve kur ndodh një fatkeqësi. Në momentin kur prona është e siguruar, dëmi nuk mbetet vetëm barrë e familjeve apo sipërmarrjeve, por kompensohet nga siguruesi sipas kushteve të policës.
Megjithatë, mijëra banesa dhe biznese në Shqipëri mbeten ende të pambrojtura. Çdo zjarr, përmbytje apo tërmet përkthehet në humbje që duhet të përballohen nga vetë pronarët ose, në shumë raste, me ndihmën financiare të shtetit.
Në këtë panoramë, vijon të mbetet pezull edhe nisma për sigurimin e detyrueshëm të pronës ndaj tërmeteve dhe përmbytjeve. Ministri i Financave kishte deklaruar se projektligji do të kalonte për miratim në qeveri brenda muajve qershor ose korrik, por deri në fund të korrikut kjo nuk ka ndodhur. Nisma mbetet sërish në sirtar dhe nuk ka ende një afat të qartë se kur do të rikthehet në axhendën e qeverisë.
Vonesa e kësaj reforme e lë Shqipërinë ndër vendet e pakta në rajon që ende nuk ka një mekanizëm të detyrueshëm për mbrojtjen financiare nga fatkeqësitë natyrore. Ndërkohë që ndryshimet klimatike po rrisin frekuencën dhe intensitetin e zjarreve, përmbytjeve dhe fenomeneve të tjera ekstreme, statistikat tregojnë se shqiptarët vazhdojnë të mos e konsiderojnë sigurimin e pronës si një domosdoshmëri, por si një shpenzim që mund të shtyhet. /ekofin.al


