“Sigurimi i detyrueshëm tashmë është shpërndarë tek të gjitha ministritë për të bërë vlerësimet dhe në fund të qershorit, fillim korriku do të jetë gati.”
Me këtë deklaratë, ministri i Financave, Petrit Malaj, konfirmoi se qeveria po hyn në fazën përfundimtare të një prej reformave më të rëndësishme në menaxhimin e fatkeqësive natyrore: krijimin e skemës së detyrueshme të sigurimit të banesave.
Ekofin.al risjell edhe një herë se çfarë pritet të sjellë ky projektligj.
Ndryshe nga drafti i parë i prezantuar në korrik 2025, versioni që u publikua në janar 2026 solli një ndryshim thelbësor. Sigurimi nuk do të mbulojë vetëm dëmet nga tërmetet, por edhe dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, duke e kthyer skemën në një instrument kombëtar mbrojtjeje ndaj dy prej rreziqeve më të mëdha natyrore që kërcënojnë Shqipërinë.
Drafti fillestar ishte fokusuar ekskluzivisht te tërmetet. Versioni i ri zgjeron mbrojtjen edhe për përmbytjet, një vendim që lidhet drejtpërdrejt me shtimin e fenomeneve ekstreme klimatike dhe kostot gjithnjë e më të larta që ato po shkaktojnë.
Në praktikë, kjo do të thotë se qytetarët nuk do të mbrohen vetëm nga dëmet që mund të shkaktojë një lëkundje sizmike, por edhe nga humbjet materiale që vijnë nga vërshimet e lumenjve, reshjet intensive, dështimi i kanalizimeve apo thyerja e digave.
Madje, në rastin e përmbytjeve, skema shkon një hap më tej, pasi parashikon mbulimin edhe të sendeve brenda banesës, një element që nuk përfshihet në rastin e dëmtimeve nga tërmeti.
Një tjetër risi e rëndësishme është zgjerimi i kategorive që konsiderohen të siguruara. Detyrimi nuk kufizohet vetëm te pronarët me dokumente pronësie. Në skemë përfshihen edhe personat që përdorin banesën dhe kanë kontratë energjie elektrike ose uji në emrin e tyre.
Kjo synon të shmangë situatat ku banesat përdoren prej vitesh, por nuk figurojnë ende me dokumentacion të plotë pronësie.
Për herë të parë, skema përfshin gjithashtu banesat sociale, ku primi i sigurimit do të financohet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Ndërkohë, për familjet në nevojë, shteti do të marrë përsipër pagesën e primit, duke synuar që skema të mos kthehet në një barrë financiare për shtresat më vulnerabël.
Ndoshta elementi më i debatueshëm i draftit mbetet mënyra e administrimit. Ndryshe nga shumica e vendeve ku sigurimi realizohet nga kompanitë private, Shqipëria ka zgjedhur krijimin e një Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet dhe Përmbytjet.
Ky fond do të funksionojë si një shoqëri aksionare shtetërore dhe do të administrojë primet, pagesat e dëmshpërblimeve, marrëveshjet e risigurimit dhe investimin e fondeve të mbledhura. Kompanitë private të sigurimit mbeten jashtë administrimit të skemës dhe mund të luajnë vetëm rolin e agjentëve për shitjen e policave.
Një nga mekanizmat më të fortë të draftit është detyrimi indirekt përmes shërbimeve publike. Qytetarët që nuk kanë një kontratë aktive sigurimi mund të përballen me kufizime në marrjen e disa shërbimeve administrative.
Kontrata e sigurimit do të kërkohet për një sërë procedurash kadastrale dhe regjistrimesh pronësie, ndërsa drafti parashikon edhe kufizime të caktuara në platformën e-Albania dhe në shërbimet e Qendrës Kombëtare të Biznesit. /ekofin.al
Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.


1 Comment
Ky qe e ben te detyrueshem, Vete do ti paguaje apo do ti paguaj une ??? legenat hajdutat