Ndërsa aeroportet europiane regjistruan në prill rënien e parë të numrit të pasagjerëve që prej rikuperimit pas pandemisë COVID-19, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) vijoi të renditet mes historive më të suksesshme të rritjes në kontinent.
Sipas raportit më të fundit të publikuar nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve në Europë (ACI Europe), trafiku i pasagjerëve në rrjetin europian të aeroporteve ra me 0.7% gjatë muajit prill 2026 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo shënon rënien e parë vjetore të trafikut ajror në Europë që nga prilli i vitit 2021, kur kishte nisur rikuperimi pas pandemisë.
Megjithatë, Shqipëria rezulton të jetë një nga përjashtimet më pozitive në hartën europiane të aviacionit. TIA regjistroi një rritje prej 25.3% të numrit të pasagjerëve në muajin prill, duke u renditur ndër tregjet me performancën më të mirë në Europë.
Në grupin e vendeve jashtë Bashkimit Europian, ku trafiku ajror u tkurr mesatarisht me 7.6%, Shqipëria u dallua së bashku me Maqedoninë e Veriut (+30.6%) dhe Moldavinë (+24.6%) si një nga tregjet me rritjen më të shpejtë. Në të kundërt, Izraeli pësoi një rënie dramatike prej 73.4%, ndërsa Turqia shënoi një ulje prej 5.1%, si pasojë e ndikimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Raporti evidenton se ndër aeroportet e kategorisë “Large”, me 10 deri në 25 milionë pasagjerë në vit, Aeroporti i Tiranës ishte aeroporti me rritjen më të lartë në të gjithë Europën gjatë muajit prill. Pas TIA-s renditen aeroporti i Charleroi në Belgjikë me 16.2%, Malta me 13.5%, Milano Linate me 13.3% dhe Krakova me 13%.
Në nivel europian, rënia e trafikut u ndikua nga disa faktorë të njëkohshëm, përfshirë konfliktin në Lindjen e Mesme, zhvendosjen e pjesshme të festave të Pashkëve në muajin mars dhe grevat e shumta që prekën veçanërisht aeroportet gjermane.
Drejtori i Përgjithshëm i ACI Europe, Olivier Jankovec, deklaroi se prilli përfaqëson një pikë kthese për trafikun ajror europian. Sipas tij, pas normalizimit të rritjes së fortë pas pandemisë, pasiguritë gjeopolitike po ushtrojnë presion shtesë mbi tregun dhe po nxjerrin në pah diferencat e mëdha mes vendeve dhe aeroporteve.
Ndërkohë që aeroportet e mëdha europiane si Frankfurti, Mynihu, Londra Gatwick dhe Stambolli regjistruan rënie të trafikut, aeroportet e mesme dhe të vogla vazhduan të performojnë më mirë, të mbështetura nga kërkesa e fortë për udhëtime brenda Europës dhe zgjerimi i kapaciteteve nga kompanitë ajrore me kosto të ulët.
Performanca e Rinasit konfirmon edhe një herë pozicionimin e aeroportit shqiptar si një nga nyjet ajrore me rritjen më të shpejtë në Europë, në një moment kur tregu europian i aviacionit po përballet me sinjalet e para të ngadalësimit pas disa vitesh zgjerimi të pandërprerë. /ekofin.al

