Industria shqiptare do të përballet me rregulla më të forta mjedisore, monitorim më të rreptë të emetimeve dhe detyrime të reja për rehabilitimin e zonave të ndotura, nëse miratohet drafti i ri për ndryshimet në ligjin “Për Lejet e Mjedisit”.
Projektligji, i hedhur për konsultim publik nga Ministria e Mjedisit, sjell disa risi të rëndësishme: krijimin e një databaze publike për lejet mjedisore, detyrimin për raport bazë të tokës dhe ujërave nëntokësore, aplikimin e sistemeve të menaxhimit mjedisor në industri, plane transformimi për reduktimin e emetimeve dhe monitorim më të avancuar të ndotjes. Në të njëjtën kohë, zgjerohen kategoritë e aktiviteteve që do t’i nënshtrohen lejeve të Tipit A, duke përfshirë sektorë të rinj si prodhimi i baterive, hidrogjenit dhe përpunimi i mineraleve strategjike.
Në thelb, drafti synon të përafrojë plotësisht legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimit Europian për emetimet industriale, duke kaluar nga kontrolli tradicional i ndotjes drejt një sistemi ku parandalimi dhe monitorimi i vazhdueshëm bëhen elementët kryesorë të mbrojtjes së mjedisit.
Çfarë ndryshon konkretisht?
Ndryshimi më i rëndësishëm lidhet me detyrimin që instalimet industriale të funksionojnë sipas “Teknikave Më të Mira të Disponueshme” (TMD), standard që përdoret në Bashkimin Europian për të kufizuar ndikimin mjedisor të industrisë.
Për herë të parë, kushtet e lejeve mjedisore do të lidhen drejtpërdrejt me teknologjinë që përdor biznesi dhe me nivelet e emetimeve që kjo teknologji garanton. Kjo do të thotë se operatorët industrialë nuk do të vlerësohen vetëm mbi bazën e dokumentacionit, por edhe mbi performancën reale mjedisore.
Një tjetër risi është vendosja e detyrimit për vetëmonitorim të vazhdueshëm të shkarkimeve. Bizneset do të duhet të raportojnë periodikisht të dhënat mbi emetimet, ndërsa autoritetet do të kenë mundësi të verifikojnë në kohë reale respektimin e kushteve të lejes.
Databazë publike për lejet dhe emetimet
Projektligji krijon për herë të parë një bazë publike të të dhënave për lejet mjedisore, e cila do të funksionojë përmes Sistemit të Integruar Mjedisor. Qytetarët, organizatat dhe institucionet do të kenë akses në informacion mbi kushtet e lejeve, rezultatet e monitorimeve dhe performancën mjedisore të instalimeve industriale. Kjo konsiderohet një nga masat më të rëndësishme për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në sektorin e mjedisit.
Përgjegjësi për ndotjen e tokës dhe ujërave
Drafti vendos një mekanizëm të ri që synon të shmangë transferimin e kostove të ndotjes te shteti. Instalimet që përdorin substanca të rrezikshme do të duhet të hartojnë një raport bazë për gjendjen e tokës dhe ujërave nëntokësore përpara nisjes së aktivitetit. Nëse aktiviteti ndërpritet, operatori do të ketë detyrimin të rehabilitojë zonën sipas gjendjes së dokumentuar fillestare.
Industri më e gjelbër dhe investime të reja
Projektligji fut edhe konceptin e “Planeve të Transformimit”, përmes të cilave bizneset do të duhet të planifikojnë uljen e emetimeve të gazeve serrë, përmirësimin e eficiencës energjetike dhe integrimin e teknologjive të reja.
Kjo do të kërkojë investime shtesë nga industria, por njëkohësisht e afron sektorin prodhues shqiptar me kërkesat e tregut europian.
Një reformë e lidhur me integrimin europian
Përtej ndikimit në sektorin industrial, drafti konsiderohet një hap i rëndësishëm në procesin e negociatave me Bashkimin Europian, veçanërisht për Kapitullin 27 “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike”. Sipas relacionit shoqërues, ndryshimet synojnë të adresojnë boshllëqet e legjislacionit aktual, të forcojnë kontrollin mbi ndotjen industriale dhe të krijojnë një sistem modern, transparent dhe të harmonizuar me standardet europiane. /ekofin.al

