Skema e sigurimit të depozitave në Shqipëri pritet të ndryshojë ndjeshëm, duke zgjeruar mbrojtjen për kategori të caktuara të kursimeve dhe duke vendosur rregulla të reja për kompensimin e qytetarëve në rast se një bankë apo shoqëri kursim-krediti nuk është më në gjendje t’u kthejë depozitat.
Projektligji i ri “Për sigurimin e depozitave”, aktualisht në konsultim pritet të zëvendësojë ligjin nr. 53/2014 dhe të përafrojë kuadrin shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Sipas dokumentit, ligji rregullon jo vetëm sigurimin dhe kompensimin e depozitave, por edhe përdorimin e fondeve të skemës për masa të tjera që synojnë ruajtjen e aksesit të depozituesve te paratë e tyre. Skema përfshin institucionet e kreditit, shoqëritë e kursim-kreditit dhe subjektet e tjera që pranojnë depozita, të licencuara dhe mbikëqyrura nga Banka e Shqipërisë.
Për depozituesit, një nga elementet kryesore është rritja nga 2.5 milionë në deri në 6 milionë lekë sigurimin për çdo depozitues në një bankë. Për depozitat e mbajtura në shoqëritë e kursim-kreditit, kufiri përcaktohet në 2 milionë lekë për çdo depozitues. Llogaritja bëhet mbi depozitat e agreguara që një person ka në të njëjtin institucion dhe jo veçmas për çdo llogari.
Risia më e rëndësishme lidhet me të ashtuquajturat “balanca të përkohshme”. Projektligji parashikon që individët, në raste të caktuara, të mund të përfitojnë mbulim deri në 15 milionë lekë, pra ndjeshëm mbi kufirin normal prej 6 milionë lekësh. Ky mbulim zbatohet kur fondet kanë kaluar në llogari, ose janë bërë ligjërisht të transferueshme, jo më shumë se gjashtë muaj përpara ngjarjes që aktivizon skemën e sigurimit.
Në këtë kategori futen, ndër të tjera, paratë që burojnë nga transaksionet me pasuri të paluajtshme për banim. Kjo do të thotë se një qytetar që, për shembull, ka shitur një banesë dhe ka depozituar paratë në bankë, mund të ketë një nivel më të lartë mbrojtjeje sesa kufiri standard, nëse plotësohen kushtet dhe afatet e ligjit.
Mbulimi deri në 15 milionë lekë parashikohet gjithashtu për fonde që lidhen me përfitime sociale të ardhura nga ngjarje si martesa, divorci, pensioni, pushimi apo largimi nga puna, lindja, paaftësia, trashëgimia ose vdekja. Në të njëjtën kategori përfshihen përfitimet nga sigurimi dhe risigurimi, si edhe dëmshpërblimet e marra për shkak të dënimeve të padrejta penale. Përfituesi duhet të dokumentojë origjinën dhe të drejtën mbi këto fonde.
Një tjetër element me rëndësi është se kompensimi për këto balanca të përkohshme nuk bashkohet me kompensimin standard të depozituesit. Projektligji përcakton shprehimisht ndarjen e dy kategorive të mbulimit, ndërsa për mbrojtjen e posaçme depozituesi duhet të paraqesë kërkesën dhe dokumentet justifikuese pranë Agjencisë së Sigurimit të Depozitave jo më vonë se tre muaj nga ngjarja e sigurimit.
Ndryshime parashikohen edhe në mënyrën e kompensimit. Në versionin e projektligjit, Agjencia duhet ta bëjë shumën standarde të kompensimit të disponueshme sa më shpejt dhe, në çdo rast, brenda 14 ditëve pune nga vendimi i Bankës së Shqipërisë për likuidimin e detyruar ose padisponueshmërinë e depozitave.
Megjithatë, projektligji përmban edhe një dispozitë që lidhet me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Me hyrjen e vendit në BE, ky afat parashikohet të shkurtohet më tej, në 7 ditë pune. Për disa kategori të posaçme depozitash, përfshirë balancat e përkohshme, afati parashikohet të jetë deri në 20 ditë pune nga paraqitja e kërkesës dhe dokumentacionit të plotë.
Procesi standard synon të jetë sa më automatik. Për kompensimin e zakonshëm, depozituesi nuk duhet të paraqesë kërkesë paraprake, përveç kategorive për të cilat nevojitet dokumentacion shtesë. Pagesat mund të kryhen nëpërmjet bankave të përzgjedhura si agjente, subjekteve të licencuara për shërbime pagesash ose drejtpërdrejt nga Agjencia në llogarinë e depozituesit.
Projektligji përcakton gjithashtu më qartë se cilat depozita mbeten jashtë skemës. Mes tyre janë depozitat e vetë institucioneve anëtare të skemës, fondet e tyre të veta, depozitat që burojnë nga veprimtari për të cilat ekziston vendim gjyqësor i formës së prerë për pastrim parash apo financim terrorizmi, si edhe depozitat e institucioneve financiare, shoqërive të sigurimit dhe risigurimit, fondeve të investimeve dhe fondeve të pensioneve.
Në të njëjtën kohë, bankave dhe institucioneve të tjera anëtare u shtohen detyrimet për informimin e klientëve. Përpara lidhjes së kontratës së depozitës, klienti duhet të marrë një fletë informuese ku përcaktohet niveli i mbulimit, depozitat që përjashtohen, trajtimi i depozitave të përbashkëta, afati i kompensimit dhe monedha e pagesës. Informacioni duhet t’u vihet sërish në dispozicion depozituesve sa herë ndryshon dhe, në çdo rast, të paktën një herë në pesë vjet.
Projektligji forcon edhe mënyrën e financimit të skemës. Për bankat, kontributet vjetore do të bazohen në nivelin e depozitave të siguruara dhe në profilin e rrezikut të secilit institucion, ndërsa parashikohen edhe kontribute të jashtëzakonshme nëse fondet e disponueshme nuk mjaftojnë për të përmbushur detyrimet ndaj depozituesve.
Një ndryshim tjetër që lidhet me përafrimin me standardet evropiane është përcaktimi i një niveli minimal të synuar për fondet e sigurimit të depozitave. Pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ky nivel nuk duhet të jetë më i ulët se 0.8% e depozitave të siguruara, ndërsa ndryshon edhe sistemi i kontributeve për shoqëritë e kursim-kreditit. /ekofin.al

