Një shifër mund të jetë e saktë, por e lexuar e shkëputur nga treguesit e tjerë mund të japë një panoramë të gabuar për tregun e sigurimeve. Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë kërkon të sjellë pikërisht këtë qasje në debatin publik, duke argumentuar se primet, dëmet dhe rezultatet financiare duhet të analizohen së bashku për të kuptuar performancën reale të kompanive dhe produkteve të sigurimit.
Në një material të publikuar në kuadër të serisë “Të kuptojmë sigurimet”, Shoqata ndalet te disa prej keqinterpretimeve më të zakonshme që lidhen me të dhënat e industrisë, duke nisur nga barazimi i primit të arkëtuar me fitimin e kompanisë.
Sipas Shoqatës, sigurimi nuk është thjesht pagesa për një policë. Në momentin që një individ apo biznes paguan primin, ai transferon te siguruesi pasojat financiare të rreziqeve të përcaktuara në kontratë. Për kompaninë, arkëtimi i primit është njëkohësisht fillimi i një detyrimi financiar, i cili mund të vazhdojë edhe përtej periudhës për të cilën është paguar polica.
Për këtë arsye, primi i arkëtuar nuk mund të konsiderohet automatikisht fitim. Ai duhet të mbulojë dëmet, provigjonet teknike për detyrimet aktuale dhe të ardhshme, shpenzimet e marrjes në sigurim dhe administrimit, kostot e risigurimit, si dhe kërkesat për kapital dhe aftësi paguese.
Në të njëjtën mënyrë, as rritja e dëmeve të paguara nuk duhet lexuar e vetme si një tregues i përkeqësimit të gjendjes së një kompanie. Për një analizë të plotë duhet të shihet niveli i primeve, dëmet e ndodhura, provigjonet, risigurimi, kapitali dhe ekspozimi ndaj rreziqeve të mëdha apo ngjarjeve katastrofike.
Dëmet e paguara nuk janë e gjithë kostoja e riskut
Shoqata tërheq vëmendjen edhe te diferenca mes dëmit të paguar dhe detyrimit total që rrjedh nga një ngjarje e siguruar. Një pjesë e dëmeve mund të jetë ende në proces trajtimi, ndërsa dëme të tjera mund të kenë ndodhur, por të mos jenë raportuar ende.
Për këto detyrime kompanitë krijojnë provigjone teknike. Kjo bën që shuma e dëmeve të paguara në një periudhë të caktuar të mos përfaqësojë domosdoshmërisht të gjithë koston e riskut të marrë përsipër nga siguruesi.
Pikërisht për këtë arsye, performanca e një produkti sigurimi duhet të analizohet në një horizont më të gjatë kohor dhe jo vetëm përmes krahasimit të primeve të arkëtuara me dëmet e paguara në të njëjtën periudhë.
Sigurimet motorike, primet dhe dëmet lëvizin me ritme të ndryshme
Si shembull, Shoqata sjell të dhënat e tregut të sigurimit të detyrueshëm motorik.
Gjatë vitit 2025, primet e sigurimit të detyrueshëm motorik u rritën me 12.22%. Në të njëjtën periudhë, dëmet motorike të paguara u rritën me 4.78%, ndërsa dëmi mesatar i paguar për MTPL u rrit nga 156 mijë lekë në 166 mijë lekë, ose me rreth 6.45%.
Por panorama ndryshon në gjysmën e parë të vitit 2026. Në këtë periudhë, primet e sigurimeve të detyrueshme motorike u rritën me 4.65%, ndërsa dëmet e paguara nga këto produkte u zgjeruan me 18.03%.
Sipas Shoqatës, këto zhvillime tregojnë qartë se dinamika e primeve duhet analizuar së bashku me ecurinë e dëmeve dhe ndryshimin e kostos së riskut.
Tarifimi sipas riskut nuk nënkupton rritje çmimesh për të gjithë
Një tjetër çështje ku Shoqata ndalet është tarifimi sipas riskut në sigurimin motorik. Parimi nënkupton që drejtuesit me profile të ndryshme risku nuk duhet domosdoshmërisht të paguajnë të njëjtin çmim.
Historiku i dëmeve dhe faktorë të tjerë mundësojnë krijimin e një lidhjeje më të drejtpërdrejtë ndërmjet riskut të të siguruarit dhe primit. Një drejtues me profil më të ulët risku mund të përfitojë një çmim më të favorshëm, ndërsa një drejtues me risk më të lartë mund të përballet me një prim më të lartë.
Shoqata i referohet të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, sipas të cilave në tremujorin e parë të vitit 2026, pas nisjes së aplikimit të historikut të dëmeve, primi mesatar i MTPL-së u ul me 2.48%.
Kjo, sipas saj, tregon se tarifimi sipas riskut nuk duhet barazuar automatikisht me shtrenjtimin e policës për të gjithë konsumatorët.
Fitimi dhe rezultati teknik duhen lexuar në kontekst
Edhe rezultati teknik, një prej treguesve kryesorë për aktivitetin e kompanive të sigurimit, nuk mjafton i vetëm për të përcaktuar gjendjen e një shoqërie.
Një rezultat teknik pozitiv tregon se aktiviteti i marrjes në sigurim ka prodhuar rezultat pozitiv, por ai duhet vlerësuar krahas riskut të marrë përsipër, dëmeve, provigjoneve, shpenzimeve, risigurimit dhe kërkesave për kapital.
Në fund, qëndrueshmëria financiare e siguruesit është drejtpërdrejt e lidhur me mbrojtjen e konsumatorit, pasi kompania duhet të jetë në gjendje të përmbushë detyrimet ndaj të siguruarve jo vetëm në momentin aktual, por edhe në të ardhmen.
Shoqata: Duhet më shumë kulturë sigurimi
Sipas Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, debati mbi industrinë nuk duhet të kufizohet te pyetjet se sa u rrit primi apo sa fituan kompanitë. Për të kuptuar situatën reale duhet analizuar paralelisht se si kanë ndryshuar dëmet, dëmi mesatar, provigjonet, niveli i risigurimit, kapitali dhe ekspozimi ndaj riskut.
Kjo merr rëndësi të veçantë në Shqipëri, ku sigurimet e detyrueshme vazhdojnë të zënë pjesën më të madhe të tregut, ndërsa penetrimi i sigurimeve në ekonomi mbetet relativisht i ulët.
Për familjet dhe bizneset, argumenton Shoqata, vendimmarrja nuk duhet të mbështetet vetëm te kostoja e policës, por edhe te pasojat financiare që mund të sjellë një ngjarje e paparashikuar në mungesë të mbulimit.
Pikërisht në këtë drejtim synon të shërbejë seria “Të kuptojmë sigurimet”, përmes së cilës Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë do të trajtojë koncepte si provigjonet teknike, risigurimi, rezultati teknik, tarifimi sipas riskut dhe dallimi mes dëmeve të ndodhura dhe atyre të paguara.
Mesazhi kryesor është se një tregues i vetëm nuk tregon të gjithë historinë. Rritja e primeve nuk përkthehet automatikisht në rritje të fitimeve, ashtu sikurse rritja e dëmeve nuk mjafton për të gjykuar shëndetin financiar të tregut. Për ta kuptuar industrinë e sigurimeve, shifrat duhet të lexohen së bashku dhe në kontekst.
