Tregu i sigurimeve u rrit me afro 6.9% në dy muaj e parë të vitit 2025. Pasi e nisi janarin me një rritje më të fortë prej 11.37%, shkurti solli një ngadalësim në të ardhurat e shoqërive të sigurimit, ndikuar kryesisht nga mosrinovimi në kohë i disa kontratave të mëdha në sigurimin e pronës dhe sigurimin e përgjegjësive civile.
Në anën tjetër, sigurimi motorik ka vijuar të performojë mirë, me një rritje prej rreth 11.5% në nivel tregu. Paralelisht me rritjen e tregut në këtë segment, janë rritur edhe dëmet e paguara, me 18.4%, krahasur me një njëjtën periudhë të vitit 2024. Ndërkohë, dëmet e paguara në total shënuan një rënie me 1.28% për janar-shkurtin 2025.
Referuar të dhënave të publikuara nga AMF, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën Janar-Shkurt 2025 kapën vlerën 3.8 miliardë lekë, ose 6.88% më shumë se në janar-shkurt 2024. Gjatë Janar-Shkurtit 2025, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 233,537 me një rritje prej 14.13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 90.53% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 9.43% dhe risigurimi me 0.041% . Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.79% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.21% të totalit të tregut.
Gjatë periudhës Janar-Shkurt 2025, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 1.27 miliardë lekë, ose 1.28% më pak se në janar-shkurt 2024.
Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për Janar-Shkurt 2025 kapën vlerën 965 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 18.42% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. /ekofin.al
