Kontrolli i cilësisë dhe sigurisë së barnave përmes analizimit të mostrave ka qenë në një nivel “shumë të ulët, pothuajse inekzistent”, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit. Gjetja lidhet me periudhën 2020-2023, kur Laboratori i Kontrollit të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore nuk funksiononte me kapacitet të plotë, ndërsa për tre vite radhazi, nga 2021 deri më 2023, nuk mori asnjë fond investimi për pajisje, mjete dhe materiale të tjera laboratorike. Në auditimin e ri të zbatimit të rekomandimeve, KLSH evidenton të paktën se laboratori është akredituar në janar 2025.
Megjithatë, situata e përgjithshme e zbatimit të rekomandimeve për sigurinë e barnave mbetet e dobët. Nga 35 masa të lëna nga KLSH për Ministrinë e Shëndetësisë dhe AKBPM-në, 16 ose 45.7% janë zbatuar plotësisht, 3 ose 8.6% pjesërisht, 5 ose 14.3% janë në proces dhe 11 ose 31.4% mbeten të pazbatuara. KLSH vlerëson se niveli i zbatimit është i ulët dhe se mosrealizimi i rekomandimeve, për shkak të ndjeshmërisë së fushës, rrezikon garantimin e përdorimit efektiv, të sigurt dhe cilësor të barnave.
Përmasat e kufizuara të kontrollit dalin edhe nga analizat e barnave me metforminë dhe sartan/hidroklortiazid, për të cilat autoritetet evropiane kishin kërkuar masa kontrolli ndaj papastërtive të nitrozaminave. KLSH evidenton se Laboratori i Kontrollit kreu 34 analiza laboratorike në total gjatë viteve 2020-2023: asnjë në vitin 2020, 8 në vitin 2021, 6 në vitin 2022 dhe 20 në vitin 2023.
Në regjistrin e barnave të publikuar në shkurt 2024 rezultonin ndërkohë 248 barna me përbërësit aktivë të këtij grupi, megjithatë të dhënat tregojnë shkallën e kufizuar të aktivitetit laboratorik gjatë periudhës së audituar. KLSH kërkoi që AKBPM të vijonte periodikisht analizat për barnat që mund të përmbajnë nitrozamina dhe të kërkonte nga mbajtësit e autorizimeve të tregtimit vlerësimet përkatëse të riskut.

Në auditimin e ndjekjes situata për këtë rekomandim rezulton e përmirësuar. AKBPM identifikoi barnat me metforminë dhe sartan/hidroklortiazid dhe kërkoi dokumentacion nga mbajtësit e autorizimeve, përfshirë deklaratat e vlerësimit të riskut, raportet analitike dhe planet e menaxhimit të riskut. Në maj 2025, Sektori i Farmakovigjilencës arriti në përfundimin se barnat e vlerësuara të këtyre grupeve rezultonin brenda limiteve të lejuara për papastërtitë e nitrozaminave. KLSH e konsideron tashmë rekomandimin për këtë çështje të zbatuar. /ekofin.al
