Shqipëria ka kaluar nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta në vitin 1995 në atë me të ardhura të mesme të larta në 2025, duke u ngjitur me dy kategori në klasifikimin e Bankës Botërore gjatë tri dekadave. Sot vendi ndodhet në të njëjtin grup të ardhurash me Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë, por diferenca me disa ekonomi të tjera të rajonit është zgjeruar në aspektin e klasifikimit: Rumania dhe Sllovenia renditen tashmë si vende me të ardhura të larta. Rumania ishte ekonomi me të ardhura të mesme të ulëta në 1995, ndërsa Sllovenia me të ardhura të mesme të larta.

Të dhënat e Bankës Botërore, të vizualizuara nga Visual Capitalist për ndryshimin e niveleve të të ardhurave mes viteve 1995 dhe 2025, tregojnë një transformim të gjerë të ekonomisë botërore. Shqipëria është ndër vendet që kanë bërë një kapërcim të konsiderueshëm në klasifikim: nga kategoria më e ulët, ajo ka kaluar fillimisht pragun e ekonomive me të ardhura të mesme të ulëta dhe më pas është ngjitur në grupin e mesëm të lartë.
Edhe Maqedonia e Veriut ka avancuar gjatë kësaj periudhe, por nga një pikënisje më e lartë. Në 1995 ajo klasifikohej si ekonomi me të ardhura të mesme të ulëta, ndërsa në 2025 është në kategorinë e të ardhurave të mesme të larta. Për Malin e Zi dhe Serbinë, tabela nuk jep një klasifikim për vitin 1995, ndërsa në 2025 të dyja renditen në grupin e mesëm të lartë.
Në një nivel më të avancuar është Rumania, e cila në tri dekada ka kaluar nga të ardhura të mesme të ulëta në të ardhura të larta. Edhe Sllovenia është ngjitur nga grupi i mesëm i lartë në atë të lartë. Kjo e vendos Shqipërinë dhe pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor ende një kategori poshtë këtyre ekonomive në klasifikimin e vitit 2025.
Bota është bërë dukshëm më e pasur në 30 vjet
Ndryshimi nuk është vetëm europian. Harta globale tregon se një pjesë e madhe e vendeve që në mesin e viteve 1990 klasifikoheshin me të ardhura të ulëta ose të mesme të ulëta janë ngjitur të paktën një kategori deri në vitin 2025.
Kina është një nga shembujt më të dukshëm. Në vitin 1995 ajo ishte ende në grupin e vendeve me të ardhura të ulëta, ndërsa në 2025 është ekonomi me të ardhura të mesme të larta. Një ndryshim të ngjashëm kanë regjistruar edhe Mongolia, Armenia dhe Azerbajxhani, të cilat nga ekonomi me të ardhura të ulëta janë ngjitur në grupin e mesëm të lartë.
Në Azi, sipas përmbledhjes së të dhënave, 30 ekonomi janë ngjitur të paktën një kategori të ardhurash gjatë periudhës 1995-2025. Në këtë grup përfshihen ekonomi që kanë kaluar nga të ardhura të ulëta në të mesme, por edhe vende që kanë arritur tashmë statusin e ekonomive me të ardhura të larta.
Shembuj të fortë gjenden edhe jashtë Azisë. Panamaja, e klasifikuar me të ardhura të mesme të ulëta në 1995, është sot në grupin e vendeve me të ardhura të larta. Polonia dhe Sllovakia kanë bërë të njëjtin kalim, nga grupi i mesëm i ulët në atë të lartë. Arabia Saudite, Bahreini, Omani dhe Seychelles janë ndër ekonomitë që kanë kaluar nga të ardhura të mesme të larta në të ardhura të larta.
Megjithatë, progresi nuk ka qenë universal. Disa vende vazhdojnë të mbeten në grupin me të ardhura të ulëta edhe pas 30 vjetësh. Afganistani, Mozambiku, Nigeri, Ruanda dhe Sierra Leone, sipas të dhënave të paraqitura, klasifikoheshin si ekonomi me të ardhura të ulëta si në 1995, ashtu edhe në 2025.
Në të njëjtën kohë, vende si Bangladeshi, Nigeria, Nepali, Pakistani dhe Senegali kanë kaluar nga kategoria e të ardhurave të ulëta në atë të të ardhurave të mesme të ulëta, duke shënuar përmirësim, por duke mbetur ende larg kategorive më të larta.
Harta evidenton gjithashtu se Argjentina dhe Turqia mbeten të klasifikuara si ekonomi me të ardhura të mesme të larta, ndërsa shpjegimi shoqërues i materialit i lidh këto raste me kufizimet që ka metodologjia e klasifikimit për vendet që përjetojnë inflacion të lartë të zgjatur.
Në rastin e Shqipërisë, krahasimi 30-vjeçar tregon një ndryshim të fortë nga pikënisja e vitit 1995. Megjithatë, fakti që vendi mbetet në kategorinë e të ardhurave të mesme të larta, ndërsa një pjesë e ekonomive të Europës Qendrore dhe Juglindore kanë kaluar në grupin e të ardhurave të larta, tregon edhe distancën që mbetet për t’u kapërcyer në të ardhurat për frymë.

