Në kuadër të Tirana Economic Forum, u zhvillua paneli “Albania’s Investment Pulse: How Can Albania Attract Quality Investment”, një nga sesionet kryesore të forumit, ku u diskutua rritja e investimeve cilësore dhe drejtimet strategjike të zhvillimit ekonomik të vendit.
Në këtë panel morën pjesë përfaqësues të rëndësishëm nga sektori publik, biznesi dhe institucionet financiare ndërkombëtare, ndër ta edhe znj. Laura Saro, Drejtore Ekzekutive e AIDA-s, e cila solli perspektivën e agjencisë si institucioni kryesor për promovimin dhe mbështetjen e investimeve në Shqipëri.
Gjatë diskutimit, znj. Saro vuri në pah se Shqipëria po hyn në një fazë të re zhvillimi, ku disa sektorë ofrojnë potencial real për të udhëhequr në rajon brenda pesë viteve të ardhshme. U theksuan veçanërisht:
- Prodhimi i avancuar, ku vendi po fiton terren si qendër rajonale për industri të specializuara dhe me vlerë të lartë të shtuar.
- Energjia e rinovueshme, duke kaluar nga një sistem i dominuar nga hidroenergia drejt diversifikimit me energji diellore dhe eolike, një shans real për lidership rajonal.
- ICT, shërbimet digjitale dhe BPO, ku fuqia punëtore e re, shumëgjuhëshe dhe infrastruktura digjitale në rritje i japin vendit avantazh të dukshëm konkurrues.
- Turizmi cilësor dhe i qëndrueshëm, që po transformon profilin turistik të vendit dhe po e pozicionon Shqipërinë si destinacion të ri mesdhetar.
- Bujqësia dhe agro-përpunimi, sektorë që po modernizohen me teknologji dhe po shtojnë potencialin eksportues për produkte mesdhetare me vlerë të lartë.
Znj. Saro theksoi se partneritetet, infrastruktura cilësore dhe reformat e qëndrueshme mbeten tre shtyllat që përcaktojnë një destinacion modern dhe tërheqës investimesh. Ajo nënvizoi se Shqipëria sot është shumë më konkurruese se disa vite më parë, falë reformave, digjitalizimit të shërbimeve dhe rritjes së stabilitetit ekonomik, elemente që po forcojnë besimin e investitorëve.
Diskutimet në panel pasqyruan qartë mesazhin se Shqipëria nuk synon vetëm të jetë pjesë e zinxhirëve rajonalë të vlerës, por të udhëheqë në sektorë ku pozita strategjike, burimet natyrore, kapitali njerëzor dhe dinamika reformuese krijojnë një avantazh unik.
Pjesëmarrja e AIDA-s në këtë panel theksoi edhe një herë rolin e saj në tërheqjen e investimeve cilësore dhe në mbështetjen e transformimit ekonomik të vendit drejt një modeli më konkurrues, më inovativ dhe plotësisht të integruar me tregun rajonal dhe evropian.




