Qeveria ka vendosur të shtyjë gjendjen e emergjencës në furnizimin me energji elektrike deri më 31 dhjetor 2023.
Në vendimet e publikuara këtë të mërkurë nga qeveria bëhet me dije se është vendosur që të shtyhet me gjashtë muaj situata e emergjencës së furnizimit me energji elektrike.
Vendimi është marrë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Qeveria e shpalli gjendjen e emergjencës së furnizimit me energji elektrike në fillim të muajit tetor të vitit 2021.
Vendimi i emergjencës është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare dhe i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë qoftë me instrumente financiarë, qoftë edhe me instrumente të natyrës administrative. Synimi i qeverisë është të mbrojë konsumatorët, me një rend prioritetesh nga poshtë-lart, nga ata që janë më në nevojë e duke vajtur më lart, përmes biznesit të vogël dhe më tej.
