Rritja e çmimeve në muajin shtator sipas matjeve të Eurostat ishte më e lartë sesa ajo që u raportua nga INSTAT pak ditë më parë. Sipas raportit të publikuar nga INSTAT, inflacioni në muajin shtator ishte 2.6% dhe jo 2.5%. Ndërsa ky tregues në shtatorin e 2020 ishte 2.3%.
Ndikimin më të madh në rritjen e inflacionit e ka dhënë grupi i ushqimeve dhe pijeve jo-alkoolike që u shtrenjtuan me 4.7%. Më pas vjen grupi i komunikimit me rritje 2.9% dhe sektori i transportit me 2.4% si pasojë dhe e shtrenjtimit të karburantit.
“Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Shtator 2021 është 2,6 %. Rritja më e madhe e çmimeve prej 4,7 % vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”. Më pas grupet “Komunikimi” me 2,9 %, “Transporti” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,4 % secili. Në vijim, “Argëtim dhe kulturë” me 1,7 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,2 %. Grupi “Veshje dhe këpucë”, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,1 % secili. Më tej grupi “Shëndeti” me 0,9 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,7 %”, thuhet në raport.
Edhe pse ka pasur shtrenjtim sipas raportit nuk ka qenë më i lartë se në vendet e Bashkimit Evropian. Sipas raportit Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në vendet e BE ishte 3,6%.
