Banka e Shqipërisë ka miratuar disa ndryshime të reja për kredinë konsumatore.
Ndryshimet synojnë të shtojnë në rregullore rolin e ndërmjetësuesit të kredisë dhe të parashikojnë disa dispozita në rastet kur kredia jepet nëpërmjet tyre.
Prej vitesh bankat dhe institucionet financiare jo banka kanë mundësuar financimin e blerjes së produkteve në njësitë e shitjes, nëpërmjet marrëveshjeve paraprake me shitësit. Ky kanal është i zhvilluar sidomos me bizneset e shitjes së pajisjeve elektronike dhe elektroshtëpiake.
Tanimë në rregulloren e ndryshuar përkufizohet ndërmjetësuesi i kredisë sipas ligjit “Për mbrojtjen e konsumatorit”, që përcakton si të tillë çdo person fizik ose juridik, i cili nuk vepron si kreditor, por për qëllime që lidhen me tregtinë, biznesin ose profesionin e tij paraqet ose ofron marrëveshje kredie te konsumatorët dhe ndihmon konsumatorët në lidhje me marrëveshjet e kredisë apo lidh marrëveshje kredie me konsumatorët, në emër të kreditorit.