Situata e tensionuar e krijuar nga përshkallëzimi i protestave gjatë dy ditëve të fundit, të shoqëruara me akte dhune, djegie dhe dëmtime të bizneseve, ka detyruar gjithnjë e më shumë banka të nivelit të dytë të marrin masa për sigurinë e klientëve dhe punonjësve, duke mbyllur degët fizike ose duke kufizuar oraret e shërbimit.
Gjatë ditës së sotme, 15 tetor, numri i institucioneve bankare që kanë njoftuar ndërprerjen e shërbimeve në degët fizike është shtuar ndjeshëm, ndërsa disa prej tyre kanë vendosur mbylljen e të gjithë rrjetit të degëve në Tiranë dhe Durrës, deri në një njoftim të dytë.
Raiffeisen Bank dhe Fibank janë dy prej bankave që kanë njoftuar mbylljen e plotë të degëve të tyre në zonat e përcaktuara, ndërsa Intesa Sanpaolo Bank Albania ka vendosur shkurtimin e orarit të shërbimit në të gjitha degët e Tiranës dhe Durrësit.
Raiffeisen Bank ka njoftuar se, për arsye sigurie, të gjitha degët e saj në Tiranë dhe Durrës do të qëndrojnë të mbyllura gjatë ditës së sotme. Banka ka bërë të ditur se përditësimet mbi rifillimin e aktivitetit do të komunikohen përmes kanaleve zyrtare, duke i orientuar klientët drejt shërbimeve digjitale për kryerjen e veprimeve bankare.
Një vendim të ngjashëm ka marrë edhe Fibank, e cila ka njoftuar se të gjitha degët në qarkun e Tiranës do të qëndrojnë të mbyllura deri në një njoftim të dytë.
Fibank ka bërë të ditur se klientët mund të vijojnë të përdorin kanalet digjitale, ndërsa veprimet me para fizike mund të kryhen në të gjithë rrjetin e ATM-ve në Shqipëri, përfshirë ato të bankave të tjera, pa komisione.
Ndërkohë, Intesa Sanpaolo Bank Albania ka vendosur që të gjitha degët e saj në Tiranë dhe Durrës të ofrojnë shërbim vetëm deri në orën 12:00.
Banka ka orientuar klientët drejt platformave të Digital Banking dhe rrjetit të ATM-ve, ndërsa për informacion dhe asistencë ka vënë në dispozicion shërbimin Digital Branch.
Edhe OTP Bank ka zgjeruar masat kufizuese, duke njoftuar mbylljen e 13 degëve në Tiranë.
Degët e prekura janë Twin Towers, Downtown, Private Banking, Blloku, Bulevardi Zogu I, Karl Topia, Stacioni i Trenit, Blloku i Ambasadave, Myslym Shyri, Stadiumi Dinamo, Hoxha Tahsim, Laprakë dhe Kamëz.
Banka u ka kërkuar klientëve të përdorin shërbimet e saj digjitale për realizimin e veprimeve bankare.
American Bank of Investments (ABI Bank) ka njoftuar gjithashtu kufizimin e orarit të shërbimit në tetë degë të saj, të cilat do të qëndrojnë të hapura vetëm deri në orën 11:30.
Bëhet fjalë për degën qendrore në Rrugën e Kavajës, Pazarin e Ri, Samos Tower, Zogun e Zi, 21 Dhjetorin, Myslym Shyrin, Downtown One dhe Stacionin e Trenit.
ABI Bank ka ftuar klientët që të përdorin degët e tjera më të afërta, rrjetin e ATM-ve ose platformën e saj digjitale.
Nga ana tjetër, Union Bank ka njoftuar mbylljen e pesë degëve në kryeqytet, përkatësisht Toptani, Piazza, Shallvare, Turdiu dhe Rruga e Kavajës.
Banka ka theksuar se po monitoron situatën dhe se çdo ndryshim tjetër që mund të ndikojë në ofrimin e shërbimeve do të komunikohet përmes kanaleve zyrtare. Klientët janë orientuar të përdorin aplikacionin Union Bank Live.
Edhe ProCredit Bank ka vendosur mbylljen e përkohshme të agjencisë së saj në Bulevardin Zogu I, deri në një njoftim të dytë.
Sipas bankës, shërbimet vijojnë normalisht në degët e tjera, përmes kanaleve digjitale dhe zonave të vetëshërbimit 24 orë në ditë.
Sistemi bankar orienton klientët drejt kanaleve digjitale
Vendimet e njëpasnjëshme të bankave tregojnë se përshkallëzimi i protestave po ndikon edhe në funksionimin e shërbimeve financiare, veçanërisht në kryeqytet dhe në Durrës.
Masat e marra synojnë të shmangin rrezikun për punonjësit dhe klientët, por njëkohësisht kufizojnë aksesin fizik në shërbimet bankare, sidomos për qytetarët dhe bizneset që kanë nevojë të kryejnë veprime në sportel.
Pavarësisht mbylljeve dhe kufizimeve të orarit, bankat kanë bërë të ditur se shërbimet digjitale vijojnë të jenë të disponueshme, duke u mundësuar klientëve të realizojnë një pjesë të madhe të transaksioneve pa qenë e nevojshme të paraqiten fizikisht në degë.
Ndërkohë, kohëzgjatja e këtyre masave mbetet e paqartë për institucionet që kanë njoftuar mbyllje deri në një komunikim të dytë. Rifillimi i aktivitetit normal do të varet nga zhvillimet e situatës dhe vlerësimet e sigurisë që do të bëjnë vetë bankat.
Për klientët, kjo do të thotë se përpara paraqitjes në një degë bankare është e nevojshme të verifikojnë njoftimet zyrtare për oraret dhe disponueshmërinë. /ekofin.al
