Nga Luçiana Sharra, guidë turistike e certifikuar
Kukësi ose Kukësi i Ri është vendosur në këmbë të malit të Gjallicës (2487 m). Pasi u ndërtua në vitin 1976, vendin e Kukësit të Vjetër e zuri liqeni artificial i Fierzës dhe ndërtimi i hidrocentralit. Bashkimi i Drinit të Zi me Drinin e Bardhë i kanë dhënë Kukësit formën e një gadishulli, që i jep një pamje shumë piktoreske.
Sipas arkeologëve, emri i sotëm i Kukësit shfaqet 1400 vjet më parë në formën e një vule të stampuar mbi një pitos, enë e përdorur si hambar, në qytezën e Pecës ku lexohet “Queikes” -Kuikis – Kukës”. Ndërsa burimet historike flasin se në vendin e bashkimit të Drinëve banonte familja e Kukejve nga mori emri më pas Vila di Cucus.

Destinacioni ynë është shtegu prej 14 km nga fshati Bicaj në Brekijë, duke kaluar përmes Tërshënës. Një nga kalimet më përrallore vjeshtore, ku ndërthuren ashpërsia e shkëmbinjve me kanionet, përrenjtë, kullat alpine, livadhet dhe Gjallica krenare, pjesë e parkut natyror Korab – Koritnik.
Kanioni i Shejës ose “Shkalla e keqe” është monumenti i parë natyror në shteg. Duke parë në brendësi gdhendjen e tij të ashpër, për shkak të gërryerjes nga lumi Sheja, e pasi ndien ftohtësinë e ajrit dhe ujit, të mbetet një shije mistike. Edhe vetë shtegu i ngushtë poshtë shkëmbinjve të bardhë të jep ndjesinë e një udhëtimi ku pret të zbulosh mrekullira.

Sapo mbërrin në fshatin Tërshënë, shfaqen shtëpitë karakteristike alpine. Kullat hijerënda reflektojnë forcën dhe mbrojtjen e malësorëve, ndërsa ngjyra e bardhë shpirtin bujar të banorëve të tyre; përshëndetjet e ngrohta dhe duart që u zgjasin vizitorëve të mirat e tokës dhe pemëve frutore, të bëjnë të ndihesh i mikpritur mes maleve.
Gjatë shtegut takon malësorët që nxitojnë të përgatiten për ardhjen e dimrit të ashpër, ku bukuria e dëborës që mbulon fshatin e izoluar, sa tërheqëse për syrin e të huajve, rrezikon të kthehet në “bukurinë që vret” për bijtë e tij. Në lagjen Shpan, një mulli uji ekzistues që para komunizmit u vjen në ndihmë banorëve për të bluar drithërat.

Për të mbërritur te Stanet e Bicajve ecja vijon përmes një pylli me pisha, me ajër gjallërues dhe me burime ujore të pafundme. Bicaj nuk është i njohur vetëm për kullotat alpine, por edhe një nga vendbanimet më të lashta në zonë, ku arkeologët kanë zbuluar gjetje të rëndësishme si stoli prej bronzi, unazat me fushë gjethe tërfili të zbukuruara me pika, rrathë e fragmente qeramike të shekullit IX-XI.
Më në fund duket maja e Malit të Gjallicës e poshtë saj lëndina e Vojvodës apo Venmira, siç e thërrasin vendasit e ku verojnë me bagëtitë e tyre. Është vendi i duhur për të bërë një pushim dhe të admirosh mrekullinë që të rrethon.
Nga lartësia 1700 metra mund të shohësh në horizont pikën fundore të fshatit Brekijë, që duket sikur ka dalë nga tregime të moçme. Këtu shtegu bëhet më i lehtë dhe akoma më shumë piktoresk mes dushqeve gjetheartë, fëshfërima e të cilëve vjen si melodi në çdo hap që hedh. Me mbërritjen në fshat dallohen stanet, të bëra nga guri dhe të mbuluara me thekër e bar të thatë, sipas vendasve, një mënyrë e lashtë e trashëguar nga të parët dhe unike për zonën e Kukësit.

Në përfundim të udhëtimit nuk duhet të largoheni pa provuar gatimet tradicionale të zonës, veçanërisht flinë, shija e së cilës dallon nga të gjitha zonat veriore të Shqipërisë ku gatuhet. Aroma e gjalpit të bjeshkëve që shkrihet butësisht, shoqëruar me djathë nape e me raki dëllenje, është kombinimi i përsosur dhe ftesa për t’u kthyer sërish e për të eksploruar shtigje të reja. /ekofin.al



