Në krahasim me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ka vlerën më të lartë të parave që qarkullojnë jashtë bankave, pra të përdorimit të parasë fizike nga qytetarët. Në Shqipëri vazhdon të dominojë kryerja e pagesave me para në dorë, ndërsa edhe numri i transaksioneve të realizuara me aplikacionet e bankave (home banking) ka pësuar rënie.
Në fund të muajit tetor, paraja në qarkullim jashtë bankave arriti në 401 miliardë lekë ose 3.6 miliardë euro, shifër e konvertuar sipas kursit aktual të këmbimit lek-euro. Në krahasim me dhjetorin e vitit të kaluar, paraja jashtë bankave është rritur me gati 2%.
Televizioni Scan ka realizuar një analizë të detajuar për të parë se sa përdoret paraja jashtë bankave në vendet e rajonit. Sipas Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, në shtetin fqinj qarkullojnë rreth 51.89 miliardë denarë ose 842.8 milionë euro, shifër ndjeshëm më e ulët se ajo e Shqipërisë. Në Bosnje dhe Hercegovinë, vlera totale e parave që qarkullojnë vetëm në duart e popullit raportohet të jetë 6.79 miliardë markë e kovertueshme ose 3.47 miliardë euro, ndërkohë që në Serbi paratë jashtë sistemit bankar llogariten në 2.11 miliardë euro. Për Kosovën dhe Malin e Zi nuk ka të dhëna publike mbi vlerë e parave që qarkullojnë jashtë bankave, megjithatë nga burime jozyrtare raportohet se nuk është një shumë më e lartë se në Shqipëri.
Edhe për sa i përket terminaleve POS, pavarësisht se Shqipëria ka një numër më të madh biznesesh se Kosova, numri i POS të instaluara nuk është shumë i madh. Nëse e krahasojmë me Serbinë, kjo e fundit ka një shifër rekord të terminaleve POS, kjo dhe për shkak të numrit më të madh të bizneseve.
Për sa i përket modernizimit të sistemit të pagesave, Shqipëria dhe Mali i Zi janë të vetmet shtete në rajon që janë pranuar në Sistemin Unik të Pagesave në Euro (SEPA). Kosova sapo ka mbyllur paraplikimin, ndërsa Serbia, Bosnje dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut janë më mbrapa. Për sa i përket sistemit të pagesave të shpejta, instant payment, në Shqipëri pritet të nisë zbatimi brenda 2 vitesh, ndërsa në Serbi është në përdorim aktualisht. /scan tv