Numri i shtetasve shqiptarë që kërkuan azil në Mbretërinë e Bashkuar u rrit dhe më pas ra ndjeshëm nga viti 2021 deri në 2024. Në vitin 2022, ai arriti kulmin me mbi 17 000 individë (përfshirë të varurit), ose 17% të të gjithë aplikantëve për azil. Kjo përbënte një ndryshim të ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme, kur kërkesat shqiptare përbënin një pjesë shumë më të vogël të totalit. Për shembull, në vitin 2021 shqiptarët përbënin 9% të kërkesave për azil.
Sa shtetas shqiptarë kanë mbërritur me gomone?
Sipas të dhënave, në vitin 2022, rreth 12 700 shtetas shqiptarë u zbuluan duke mbërritur në MB me varka të vogla ose gomone. Ky numër përfaqësonte 27% të të gjitha mbërritjeve me varka të vogla atë vit, duke i bërë shqiptarët kombësinë më të zakonshme ndër të zbuluarit.
Në vitin 2024, numri i shqiptarëve të zbuluar duke kaluar Kanalin me varka të vogla ishte shumë më i vogël. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2025 (nga 1 janar deri më 31 mars), vetëm 25 shtetas shqiptarë u zbuluan duke mbërritur në këtë mënyrë.
Nga rreth 12 700 shqiptarët që mbërritën me varka të vogla në 2022, 86% kërkuan azil dhe nga 616 mbërritjet shqiptare me varka të vogla të regjistruara në 2024, 578 kërkuan azil (94%).
Normat e pranimit të azilit për shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2024 ishin të krahasueshme me shumicën e vendeve të BE-së, por më të ulëta se në Francë, Irlandë dhe Itali.
Rënia e përqindjes së suksesit të kërkesave për azil nga shqiptarët ka ndodhur paralelisht me një ulje më të gjerë të normës së përgjithshme të miratimeve të vendimeve fillestare në MB (për të gjitha kombësitë), nga 76% në vitin 2022 në 47% në 2024.
Kjo rënie e përgjithshme e pranimit për azil mund të lidhet me ndryshimet ligjore të futura nga Ligji për Kombësinë dhe Kufijtë 2022 (Nationality and Borders Act 2022), i cili rriti standardin e provës që kërkohet për të përfituar azil. Më parë, aplikantët duhej të tregonin se ekzistonte një “shkallë e arsyeshme mundësie” që ata do të përndiqeshin nëse ktheheshin në vendin e origjinës. Ligji i ri e ngriti këtë prag, duke kërkuar që aplikantët të dëshmojnë se, “në balancën e probabiliteteve”, ata do të përballeshin me përndjekje.
Sa shtetas shqiptarë të mbërritur me gomone janë referuar në sistemin britanik të skllavërisë moderne?
Në deklaratën e tij të dhjetorit 2022 në Parlament, kryeministri Rishi Sunak tha, në kontekstin e politikës konservatore për të trajtuar mbërritjet shqiptare me varka të vogla, se “një nga arsyet pse e kemi të vështirë të largojmë njerëzit është sepse ata e shfrytëzojnë padrejtësisht sistemin tonë të skllavërisë moderne.”
Nga rreth 12 651 shqiptarë që mbërritën me varka të vogla në vitin 2022, 3 021 janë referuar në Mekanizmin Kombëtar të Referimit (National Referral Mechanism – NRM) deri në maj 2025 – që përbën 24% të totalit.
NRM është sistemi britanik për identifikimin e viktimave të skllavërisë moderne. (Vlen të theksohet se ky numër mund të rritet me kalimin e kohës, pasi më shumë persona nga ky grup identifikohen si viktima të mundshme dhe referohen në NRM.) Nga të gjitha mbërritjet me varka të vogla në 2022 (nga të gjitha kombësitë), 12% janë referuar në NRM.
Nga 1 476 shqiptarë që mbërritën me varka të vogla në 2022 dhe kishin marrë një vendim përfundimtar deri në maj 2025, 481 raste ishin pozitive (33%) – që do të thotë se Home Office kishte konkluduar se këta individë ishin viktima të skllavërisë moderne. /ekofin.al

Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

