Shqipëria duket se po i afrohet rikthimit të plotë në programin IPARD III, pasi qeveria shqiptare deklaron se ka përmbushur të gjitha detyrimet dhe procedurat ligjore të kërkuara nga Komisioni Europian për vijimin e zbatimit të programit.
Lajmi u bë publik nga Andis Salla, i cili tha se institucionet shqiptare kanë dorëzuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe tashmë pritet vetëm vlerësimi final nga Brukseli.
“Kemi bërë të gjitha detyrat e shtëpisë dhe të gjitha procedurat ligjore që na takojnë në bashkëpunim me Brukselin dhe Ministrinë e Financave, përmes MBZHR dhe AZHBR. Kemi çuar të gjithë dokumentacionin dhe mbetet në vlerësimin e Komisionit për ta vijuar me një hap tjetër”, deklaroi ministri.
Deklarata shihet si sinjali më i fortë deri tani se Shqipërisë mund t’i rihapen dyert për aksesimin e fondeve të IPARD III, pas një periudhe të gjatë pasigurie dhe pezullimi të procesit për shkak të kontrolleve dhe verifikimeve të kërkuara nga institucionet europiane.
Programi IPARD III konsiderohet një nga instrumentet më të rëndësishme financiare për modernizimin e bujqësisë shqiptare dhe afrimin e saj me standardet e Bashkimi Evropian. Fondi prej 146 milionë eurosh synon të mbështesë investimet në ferma, agroindustri, siguri ushqimore, teknologji bujqësore dhe zhvillim rural.
Sipas ministrit Salla, programi do të krijojë mundësi të reja për fermerët dhe sipërmarrjet rurale që të investojnë në standarde europiane dhe të rrisin konkurrueshmërinë e tyre në treg.
“Këtë e kemi bërë për t’u dhënë akses të gjithë fermerëve, qoftë nga skema kombëtare, qoftë nga IPARD III”, u shpreh ai, duke theksuar se programi është ndërtuar në mënyrë që të mos mbivendoset me Skemën Kombëtare të Mbështetjes.
Rikthimi i IPARD III shihet si jetik për sektorin bujqësor në një moment kur fermerët po përballen me rritje të kostove të prodhimit, çmime më të larta të inputeve bujqësore dhe nevojë të fortë për modernizim. Për shumë ferma dhe agrobiznese, fondet europiane konsiderohen një nga mundësitë e pakta për të investuar në pajisje, magazina, teknologji dhe standarde sigurie ushqimore.
Në vitet e fundit, procesi i IPARD-it është shoqëruar me debate dhe shqetësime lidhur me menaxhimin e fondeve dhe mekanizmat e kontrollit. Pikërisht për këtë arsye, Komisioni Europian kërkoi rishikim të procedurave dhe masa shtesë garantimi për përdorimin e fondeve.
Qeveria shqiptare argumenton se tashmë janë përmbushur të gjitha kërkesat teknike dhe ligjore të kërkuara nga partnerët europianë dhe se vendi ndodhet në fazën finale të pritjes së miratimit.
Nëse Brukseli jep dritën jeshile, hapja e plotë e IPARD III do të përbënte një nga zhvillimet më të rëndësishme financiare për bujqësinë shqiptare në vitet e fundit, duke rikthyer aksesin në dhjetëra miliona euro investime për fermerët dhe ekonominë rurale.
