Qytetarët shqiptarë i drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur 140 deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë.
Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vendin tonë, listat zgjedhore përfshijnë dy kategori, qytetarët që jetojnë brenda vendit dhe ata të cilët jetojnë në shtete të ndryshme të botës.
Në zgjedhjet e 11-ta parlamentare që prej vitit 1991, të drejtën e votës sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Brendshme, e kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit, nga të cilët 114,642 të rinj do të votojnë për herë të parë.
Gjithashtu, edhe 3 027 persona, të dënuar dhe të paraburgosur pritet të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar në 21 institucione të ekzekutimit të vendimeve penale.
Procesi i hartimit të listës përfundimtare të zgjedhësve u krye nën mbikëqyrjen e auditëve të KQZ-së, duke kaluar në disa faza në zbatim të dekretit të Presidentit, përmes publikimeve të 3 ekstrakteve të përbërësve zgjedhore. Bazuar në këto të dhëna, 1,081 shtetas janë të papërfshirë për të ushtruar të drejtën e votës për shkak të dekriminalizimit.
Janë 5,225 qendra votimi në të gjithë vendin të cilat u hapën në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.
Në këtë proces zgjedhor, për herë të parë u bë e mundur përfshirja e emigrantëve shqiptarë në mënyrë që ata të ushtronin të drejtën e votës përmes postës nga shteti ku kanë vendqëndrimin pa pasur detyrim të vijnë në Shqipëri.
Në listën e votuesve nga jashtë, numri i votuesve është 245 935 zgjedhës. Pas regjistrimit nëpërmjet Platformës Elektronike për Regjistrimin e votuesve nga jashtë (PER-it) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dërgoi nëpërmjet shërbimit postar fletën e votimit dhe materiale të tjera udhëzuese te adresa që ata kanë deklaruar në PER. Kostot e shërbimit postar për kthimin e fletës së votimit janë paguar të gjitha nga shteti shqiptar.
Procesi i votimit si dhe më pas edhe i numërimit do të monitorohet nga vëzhgues afatshkurtër dhe afatgjatë, vendas dhe të huaj.
