Operatorët ekonomikë që importojnë apo eksportojnë produkte druri, do të përballen me filtra më të rreptë në veprimtarinë e tyre.
Përmes një projektvendimi të hedhur për konsultim publik, qeveria synon të përafrojë legjislacionin shqiptar me kërkesat e Rregullores së Bashkimit Evropian për Shpyllëzimin, e njohur si EUDR, si dhe skemën e licencimit FLEGT për tregtinë e produkteve të drurit.
Bizneset marrin përgjegjësi ligjore për origjinën e mallrave
Sipas rregullave të reja dhe parimit të “kujdesit të duhur”, ose due diligence. operatori që vendos një produkt në treg ose e eksporton atë duhet të sigurohet se malli nuk lidhet me shpyllëzimin dhe se është prodhuar në përputhje me ligjet e vendit të origjinës.
Kjo i bën operatorët ekonomikë drejtpërdrejt përgjegjës për saktësinë e informacionit dhe dokumentacionit të paraqitur, ndërsa deklaratat e tyre mund t’u nënshtrohen kontrolleve administrative dhe teknike nga autoritetet.
Po kështu, operatorët duhet të sigurojnë të dhëna që lejojnë identifikimin e vendndodhjes së saktë të tokës ku është prodhuar malli ose lënda e parë. Ky informacion do t’u mundësojë autoriteteve të kontrollojnë nëse parcela është prekur nga shpyllëzimi ose degradimi i pyjeve.
Kërkesa për gjeolokacionin është një nga shtyllat kryesore të sistemit evropian kundër shpyllëzimit, pasi mundëson që produkti të ndiqet përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit, nga toka e origjinës deri në momentin kur vendoset në treg.
Për bizneset, kjo nënkupton nevojën për sisteme më të avancuara të dokumentimit dhe menaxhimit të të dhënave, veçanërisht kur furnizimi bëhet përmes disa ndërmjetësve ose përfshin produkte me origjinë nga vende të ndryshme.
Kontrollet do të varen nga niveli i rrezikut
Kontrollet nuk do të kryhen në të njëjtën masë për të gjitha produktet dhe operatorët. Projektvendimi parashikon një sistem të bazuar në analizën e rrezikut, ku intensiteti i verifikimeve do të përcaktohet nga mundësia që malli të lidhet me shpyllëzimin, degradimin e pyjeve ose burime të paligjshme.
Produktet, vendet e origjinës dhe operatorët që paraqesin rrezik më të lartë do të kontrollohen më shpesh dhe në mënyrë më të thelluar.
Doganat do të kenë rol kyç në verifikimin e licencave FLEGT për produktet e drurit të importuara, me qëllim parandalimin e tregtisë së paligjshme dhe kontrollin e origjinës së mallrave përpara hyrjes në treg. Sistemi do të mbështetet në bashkëpunimin dhe shkëmbimin elektronik të të dhënave ndërmjet ministrive, agjencive të pyjeve dhe zonave të mbrojtura, strukturave inspektuese dhe pushtetit vendor, duke përfshirë informacionin për operatorët, kontrollet, shkeljet dhe produktet me rrezik.
Pa kosto shtesë për buxhetin, por me detyrime për bizneset
Relacioni shoqërues argumenton se zbatimi i projektvendimit nuk do të sjellë efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit, pasi detyrat pritet të përballohen nga institucionet ekzistuese.
Megjithatë, detyrimet e reja mund të krijojnë kosto për operatorët ekonomikë. Kompanitë do të duhet të investojnë në sisteme gjurmueshmërie, ruajtje dokumentesh, mbledhje të të dhënave gjeografike dhe kontroll më të hollësishëm të furnizuesve.
Ndikimi mund të jetë më i ndjeshëm për bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat mund të mos kenë ende struktura të posaçme për menaxhimin e përputhshmërisë ligjore dhe të zinxhirit të furnizimit.
Nga ana tjetër, përafrimi me kërkesat evropiane mund t’u japë eksportuesve shqiptarë një bazë më të qartë ligjore për të provuar origjinën dhe ligjshmërinë e produkteve të tyre në tregun e BE-së.
Sipas relacionit, sistemi pritet të rrisë transparencën në tregtinë e produkteve pyjore, të forcojë mbrojtjen e pyjeve dhe biodiversitetit dhe të përmirësojë besueshmërinë e produkteve shqiptare në tregjet europiane.
Për bizneset, megjithatë, “filtri i gjelbër” do të thotë se hyrja në treg nuk do të varet më vetëm nga cilësia dhe dokumentet tregtare të produktit, por edhe nga aftësia për të provuar se ku dhe në çfarë kushtesh është prodhuar./ekofin.al
