Punonjësit në Shqipëri kanë ligjërisht 34 ditë pushime të paguara në vit, duke përfshirë pushimet vjetore dhe festat zyrtare me pagesë, ose 4 ditë më shumë se mesatarja botërore prej 30 ditësh. Të dhënat për vitin 2025, të përpiluara nga Resume.io për 185 vende, e vendosin Shqipërinë mbi disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor: Maqedonia e Veriut ka 32 ditë, Serbia 31 dhe Mali i Zi 28 ditë. Shqipëria ka kështu 2 ditë më shumë se Maqedonia e Veriut, 3 më shumë se Serbia dhe 6 më shumë se Mali i Zi.
Në një krahasim më të gjerë, niveli shqiptar është gjithashtu mbi mesataren globale dhe shumë pranë vendeve europiane si Suedia, Portugalia dhe Sllovakia, të cilat kanë nga 35 ditë, ndërsa mbetet poshtë Islandës me 40 ditë.
Në rang botëror, diferencat janë shumë të mëdha. Numri i ditëve të pushimit të paguar të garantuara me ligj varion nga 9 deri në 53 ditë në vit. Irani kryeson renditjen me 53 ditë pushime vjetore dhe festa zyrtare të paguara, më shumë se pesëfishin e totalit prej vetëm 10 ditësh që rezulton për Shtetet e Bashkuara.
SHBA renditet e parafundit mes 185 vendeve, duke lënë pas vetëm Mikronezinë. Totali amerikan prej 10 ditësh është sa një e treta e mesatares globale prej 30 ditësh.
Megjithatë, renditja mat vetëm pushimet që garantohen nga legjislacioni dhe jo domosdoshmërisht numrin real të ditëve të paguara që marrin punonjësit. Në SHBA, ligji federal nuk i detyron punëdhënësit privatë të ofrojnë pushime vjetore të paguara, ndaj kjo përfitim përcaktohet kryesisht nga politikat e kompanive.
Në praktikë, sipas të dhënave të Byrosë amerikane të Statistikave të Punës, 80% e punonjësve të sektorit privat kishin akses në pushime të paguara në vitin 2025. Ndër punonjësit me një vit vjetërsi në vendin e punës, 31% përfitonin nga 10 deri në 14 ditë pushime.
Në krye të renditjes, krahas Iranit, dallohen disa vende të Lindjes së Mesme. Jemeni ka 45 ditë të paguara në vit, Bahreini 44, Kuvajti 42 dhe Omani 39. Totali përfshin si pushimin vjetor të garantuar me ligj, ashtu edhe festat publike të paguara, ndaj vende të ndryshme mund të arrijnë nivele të ngjashme përmes kombinimeve të ndryshme të këtyre dy kategorive.
Europa, në përgjithësi, pozicionohet më mirë se pjesa tjetër e botës. Shumica e vendeve europiane janë rreth ose mbi mesataren globale prej 30 ditësh. Islanda arrin në 40 ditë, ndërsa Suedia, Portugalia dhe Sllovakia kanë nga 35 ditë secila.
Në anën tjetër, disa prej ekonomive më të mëdha aziatike rezultojnë dukshëm poshtë mesatares botërore. Kina ka 16 ditë pushime të paguara dhe festa zyrtare, India 18 ditë, ndërsa Japonia 26 ditë./Përshtati nga Visual Capitalist, ekofin.al

