Shqipëria e mbylli vitin 2024 me një tjetër bilanc pozitiv sa i përket turizmit. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri publike sot shifrat e turistëve të huaj, duke theksuar se “11,7 milionë vizitorë të huaj vizituan Shqipërinë gjatë vitit 2024, me një rritje prej 15,2% krahasuar me vitin 2023”.
Vitin e kaluar, Shqipëria u vizitua nga 10.1 milionë vizitorë.
Përtej rritjeve të hyrjeve turistike nga vendet e rajonit, viti 2024 ka konfirmuar rritje dhe qëndrueshmëri të tregjeve nga Evropa Perëndimore si Italia, Gjermania, Franca apo Britania e Madhe dhe ka zgjeruar hartën e tregjeve të largëta e ka afruar më shumë vizitorë prej tyre.
“Konsolidimi i tregjeve të Europës Perëndimore si Italia, Gjermania, Franca, Spanja apo Britania, përveç rritjeve nga vendet e rajonit dhe afrimi i vizitorëve nga tregjet e largëta aziatike dhe amerikane, shoqëruar me impaktin e jashtëzakonshëm në ekonomi siç janë 3,8 miliardë euro të gjeneruara nga turizmi vëtëm në 9 muajt e vitit 2024 apo rritja e standardeve të strukturave akomoduese janë treguesit më të mirë të vizionit që po bëhet realitet, promovimit prestigjoz dhe eksperiencave të mira të krijuara vit pas viti”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Në këtë mënyrë, megjithë luhatjet, ku muajt e verës dhe në veçanti korriku, shënuan një rritje më të vogël, viti 2024 mund të konsiderohet një tjetër vit pozitiv për turizmin.

