Konferenca MicroBalkans 26, e zhvilluar në Shkup, mblodhi liderë të industrisë, përfaqësues të bankave qendrore, institucione financiare jobankare, organizata ndërkombëtare dhe shoqata të mikrofinancës nga i gjithë Ballkani Perëndimor për të diskutuar sfidat dhe mundësitë që do të formësojnë të ardhmen e sektorit.
Gjatë dy ditëve të konferencës, temat kryesore u fokusuan në përfshirjen financiare, transformimin digjital, financimin e gjelbër, mbrojtjen e konsumatorit, bashkëpunimin rajonal dhe ndërtimin e një kuadri të qëndrueshëm për zhvillimin e institucioneve financiare jobankare.
Mesazhi i përbashkët i diskutimeve ishte i qartë: sektori financiar po ndryshon me ritme të shpejta dhe zhvillimi i tij kërkon një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet industrisë, rregullatorëve dhe institucioneve të tjera të ekosistemit financiar.
Kontributi i ekspertëve shqiptarë në diskutimet strategjike të konferencës
MicroBalkans 26 shërbeu gjithashtu si një platformë ku ekspertë dhe drejtues të institucioneve shqiptare ndanë përvojat e tyre mbi zhvillimin e sektorit financiar dhe mbështetjen e sipërmarrjeve në rajon.
Në panelin “Financimi i SME-ve: Si të adresojmë segmentin e nënfinancuar të tregut”, Shqipëria u përfaqësua nga Dorin Rama, CA, Drejtor Ekzekutiv i Crimson Finance Fund Albania, dhe Alma Stafa, Drejtore e Marketingut dhe Zhvillimit në Fondi Besa.
Diskutimet u fokusuan në hendekun e financimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë te roli që institucionet financiare jobankare mund të luajnë në zgjerimin e aksesit në financë për bizneset që shpesh mbeten jashtë skemave tradicionale të kreditimit bankar.
Panelistët trajtuan mundësitë që ofrojnë produktet alternative të financimit, përdorimin e të dhënave alternative për vlerësimin e bizneseve, financimin e sektorit bujqësor, si dhe rëndësinë e instrumenteve mbështetëse si fondet e garancisë, programet e Bashkimit Evropian dhe partneritetet me institucione ndërkombëtare financiare.
Një tjetër kontribut i rëndësishëm nga Shqipëria erdhi në panelin “Marrëdhënia me klientin pas disbursimit: Mbledhja dhe rikuperimi i kredive”, ku Altin Muça, Zëvendës Drejtor Ekzekutiv i Fondi Besa, ndau eksperienca dhe praktika mbi menaxhimin e portofolit, proceset e rikuperimit, digjitalizimin e komunikimit me klientët dhe rëndësinë e trajtimit të mbledhjes së detyrimeve si pjesë e marrëdhënies afatgjatë me klientin.
Diskutimet evidentuan se suksesi i një institucioni financiar nuk matet vetëm nga aftësia për të dhënë kredi, por edhe nga mënyra se si menaxhon marrëdhënien me klientin gjatë gjithë ciklit të financimit, duke ruajtur ekuilibrin midis disiplinës financiare dhe mbrojtjes së klientit.
Një përfaqësim i fortë i Shqipërisë në nivel rajonal
Prania e Arlinda Muja, Dorin Rama, CA, Alma Stafa dhe Altin Muça në panelet kryesore të konferencës dëshmoi pjekurinë dhe rolin në rritje të sektorit shqiptar të mikrofinancës dhe financës jobankare në rajon.
Përmes pjesëmarrjes aktive në debatet mbi politikat, financimin e SME-ve, përfshirjen financiare dhe praktikat e menaxhimit të portofolit, Shqipëria kontribuoi në mënyrë konkrete në diskutimet që do të formësojnë të ardhmen e sektorit në Ballkanin Perëndimor.
Kjo prani konfirmon angazhimin e institucioneve shqiptare për të ndarë eksperiencat më të mira, për të nxitur inovacionin dhe për të forcuar bashkëpunimin rajonal në funksion të një sektori financiar më gjithëpërfshirës, më të qëndrueshëm dhe më pranë nevojave të qytetarëve dhe bizneseve.
Shqipëria u përfaqësua në këtë forum gjithashtu nga Arlinda Muja, CEO e ECFA sh.a. me markën Kredo.al dhe Presidente e Shoqatës Shqiptare të Mikrofinancës (AMA), duke sjellë perspektivën e tregut shqiptar në diskutimet strategjike për të ardhmen e sektorit.
Një nga momentet më të rëndësishme të konferencës ishte paneli “Ndërtimi i Kornizës Financiare: Një Dialog Politikash”, i moderuar nga Arlinda Muja, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve mbikëqyrëse dhe ekspertë të njohur të rajonit.
Paneli trajtoi çështje thelbësore për zhvillimin e sektorit financiar jobankar, si: Roli i institucioneve financiare jobankare në stabilitetin financiar dhe përfshirjen financiare; Vizioni i politikëbërësve dhe rregullatorëve për sektorin deri në vitin 2030; Balancimi i inovacionit me mbrojtjen e konsumatorit; Sfidat e huadhënies dhe mbikëqyrjes ndërkufitare.
Nevoja për më shumë të dhëna, dialog dhe vetërregullim nga industria.
Në diskutim morën pjesë përfaqësues të bankave qendrore të Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe Shqipërisë, së bashku me ekspertë të pavarur të sektorit, duke ndarë perspektiva mbi mënyrën se si mund të ndërtohet një mjedis financiar më i sigurt, më inovativ dhe më gjithëpërfshirës.
Një vizion i përbashkët për vitin 2030
Diskutimet evidentuan se e ardhmja e sektorit nuk mund të mbështetet vetëm në përputhshmërinë rregullatore. Për të ndërtuar një treg financiar të qëndrueshëm nevojiten partneritete të forta, transparencë, shkëmbim informacioni dhe një dialog i vazhdueshëm midis industrisë dhe rregullatorëve.
Në rolin e saj si moderatore e panelit dhe përfaqësuese e sektorit shqiptar të mikrofinancës, Arlinda Muja theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për adresimin e sfidave të përbashkëta dhe për krijimin e mundësive të reja për qytetarët dhe bizneset që mbështeten nga financa jobankare.
Teksa rajoni ecën drejt një integrimi më të madh ekonomik dhe financiar, forume si MicroBalkans 26 tregojnë se bashkëpunimi, shkëmbimi i praktikave më të mira dhe dialogu i hapur mbeten faktorët kyç për ndërtimin e së ardhmes së mikrofinancës në Ballkanin Perëndimor.
