Gjatë tetë muajve të parë të këtij viti, Shqipëria shtoi në rrjetin e saj të transmetimit dy impiante diellore me një kapacitet të përgjithshëm prej 150 MW dhe një hidrocentral me fuqi 48.9 MW.
Hidrocentralet përbëjnë pothuajse të gjithë prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri, por pjesa e fotovoltaikëve po rritet gradualisht. Disa parqe të mëdha diellore janë tashmë në funksion – objekti në Karavasta është më i madhi në Ballkanin Perëndimor. Në anën tjetër, në vend nuk funksionon ende një park eolik me turbina me erë.
Sipas Entit Rregullator të Energjisë (ERE), gjatë tetë muajve të parë të këtij viti janë vënë në punë impiante të rinovueshme të prodhimit të energjisë me një kapacitet total prej 225 MW.
Përfundimi i projektit “Blue”
Pesë parqe diellore hynë në funksion, me një kapacitet të përbashkët prej 156 MW. Më i madhi është Sunny Side Solar (100 MW). Grupi vendas Kastrati, aktiv në ndërtim dhe në industrinë e naftës, ndërtoi këtë impiant në zonën e Fierit, në Shqipërinë perëndimore.
Impianti tjetër, Spv Blue 2, ka fuqi 50 MW dhe është një projekt i përbashkët i Blessed Investment dhe Matrix Konstruksion. Ai ndodhet në Sheq Marinas, Fier. Parku i tyre Blue 1 PV, në të njëjtën zonë, ishte parku i parë diellor në Shqipëri i financuar plotësisht nga kapital privat. Dy kompanitë e vunë atë në punë vitin e kaluar.
Sunny Side Solar dhe Blue 2 nisën funksionimin në gusht, ashtu si edhe një nga tre njësitë e tjera të mbetura, secila me fuqi 2 MW. Dy të tjerat filluan prodhimin në prill dhe qershor.
Kompleksi hidroenergjetik Gostimat nis prodhimin
Nga gjithsej 69.2 MW hidrocentrale të reja, objekti Gostimat ka fuqi 48.9 MW. Sipas njoftimeve të mëparshme të ERE-së, projekti përfshin një kompleks prej shtatë njësish mbi lumin Gostima, në pellgun e Shkumbinit. Operatori është Egnatia Hydropower.
Firma projektuese M.C. Energji Gojan, pjesë e kompanisë MC Inerte, ndërtoi hidrocentralin Gojan me kapacitet 15 MW në zonën e Pukës, në Shqipërinë veriore.
Përveç kësaj, ERE njoftoi se nëntë hidrocentrale me një kapacitet të kombinuar prej 26.4 MW kanë kaluar në tregun e lirë të energjisë.
Në fund të vitit të kaluar, kapaciteti i përgjithshëm i prodhimit të energjisë elektrike në vend ishte 3.2 GW. /Përshtati nga Balkan Green Energy News, ekofin.al
