Shqipëria rrit përdorimin e teknologjive të avancuara, por mbetet pas në intensitetin digjital të NVM-ve.
Sipas raportit të vitit 2024 të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal mbi Indeksin e Ekonomisë dhe Shoqërisë Digjitale në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria ka shënuar përparime të dukshme në disa tregues të transformimit dixhital të bizneseve, ndonëse mbetet nën mesataren rajonale në nivelin bazë të intensitetit digjital të NVM-ve.
Treguesit nga vitet 2022 dhe 2023, të përfshirë në dimensionin e Transformimit Digjital të Bizneseve tregojnw se në vitin 2023, 27% e NVM-ve në Shqipëri kishin të paktën një nivel bazë të intensitetit digjital, duke qenë nën mesataren e BP6 prej 43%.
Megjithatë, Shqipëria tejkaloi mesataren rajonale në disa tregues digjitalë. Shkëmbimi elektronik i informacionit u përdor nga 39% e ndërmarrjeve, krahasuar me mesataren e BP6 prej 25%, ndërsa 33% e ndërmarrjeve në Shqipëri përdorën rrjetet sociale, duke kaluar mesataren rajonale prej 26%.
Përdorimi i teknologjive digjitale të avancuara është në rritje në vitin 2023: 23% e ndërmarrjeve raportuan përdorimin e zgjidhjeve cloud, 33% shfrytëzuan analizën e të dhënave dhe 12% adoptuan mjete të inteligjencës artificiale. Faturimi elektronik është gjithashtu shumë i konsoliduar, me 54% të ndërmarrjeve që përdorin fatura elektronike, mbi mesataren e BP6 prej 41%. Për më tepër, 20% e NVM-ve në Shqipëri u angazhuan në shitje online.
Sipas raportit, Shqipëria ka qenë aktive në zbatimin e Strategjisë për Zhvillimin e Biznesit dhe Investimeve 2021–2027, e cila shërben si kuadri kryesor politik për përmirësimin e klimës së biznesit, tërheqjen e investimeve dhe rritjen e konkurrueshmërisë së NVM-ve përmes inovacionit dhe teknologjisë së informacionit. Strategjia fokusohet gjithashtu në uljen e barrierave administrative për të lehtësuar operimin e bizneseve, thuhet në raport/ekofin.al
