Shqiptarët po përdorin gjithnjë e më shumë shërbimet online të shtetit, duke e renditur vendin mbi mesataren e BE-së dhe shumë më lart se Ballkani Perëndimor.
Sipas të dhënave të Eurostat dhe Indeksit të Ekonomisë dhe Shoqërisë Digjitale (DESI) 2024, 78.5% e përdoruesve të internetit në Shqipëri kanë përdorur e-qeverisjen, krahasuar me 43% të mesatares rajonale dhe 75% në Bashkimin Europian.
Megjithatë, pavarësisht kësaj përhapjeje të gjerë, niveli i shërbimeve për qytetarët mbetet i ulët. Shqipëria ka shënuar vetëm 36 pikë, shumë më poshtë se mesatarja e BE-së me 79 pikë dhe nën nivelin rajonal prej 48 pikësh. Shërbimet për bizneset rezultojnë disi më të avancuara, duke marrë 66 pikë, mbi rajonin (60), por larg standardit europian (85).
Një përparësi e dukshme është përdorimi i formularëve të paraplotësuar, ku Shqipëria shënon 65 pikë, duke kaluar mesataren rajonale (60) dhe duke iu afruar BE-së (71). Po ashtu, mbështetja e përdoruesve është rritur ndjeshëm në një vit, nga 52 në 60 pikë, duke kaluar mbi mesataren e rajonit.
Shqipëria kryeson në rajon dhe arrin nivelin europian për miqësinë me celularin, me 95 pikë – një tregues se shërbimet online janë lehtësisht të përdorshme nga pajisjet mobile.
Megjithatë, dobësitë më të mëdha mbeten transparenca e shërbimeve dhe siguria e të dhënave personale, ku vendi shënon vetëm 30 pikë, shumë poshtë mesatares së BE-së me 67 pikë. Po ashtu, qasja në kartelat shëndetësore elektronike është një tjetër problem: Shqipëria ka arritur vetëm 40 pikë, kundrejt 51 pikëve në rajon dhe 79 pikëve në Bashkimin Europian.
Agenda Digjitale 2022–2026 e Shqipërisë i jep një rëndësi të veçantë digjitalizimit të shërbimeve publike, me synim rritjen e aksesueshmërisë, efikasitetit dhe transparencës në të gjithë shërbimet publike. Ajo mbështet zgjerimin dhe përmirësimin e shërbimeve online përmes platformave si e-Albania, duke siguruar një gamë më të gjerë shërbimesh të ofruara online për qytetarët dhe bizneset. Agjenda vendos si prioritet zhvillimin e një infrastrukture digjitale të sigurt dhe të ndërlidhur, përfshirë përdorimin e identifikimit elektronik (eID), sistemeve të bazuara në cloud dhe përmirësimin e shkëmbimit të të dhënave ndërmjet institucioneve.
Megjithatë, realizimi i plotë i këtyre përpjekjeve varet nga miratimi i legjislacionit, si Ligji për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besimit, në mënyrë që kuadri të përafrohet me Rregulloren e BE-së eIDAS në nivel ekonomie, duke krijuar një identitet digjital dhe kuadër shërbimesh besimi sipas standardeve të reja të BE-së, thekson raporti.
Portali e-Albania shërben si platforma qendrore për aksesin në shërbimet publike, duke funksionuar si një pikë e vetme kontakti për qytetarët dhe ndërmarrjet. Në mars 2025, portali ofronte 1,253 shërbime online dhe kishte rreth 3.21 milion përdorues të regjistruar./ekofin.al

