Ndërsa Evropa po përballet me temperatura rekord dhe thatësira të përsëritura, Shqipëria rezulton ndër vendet me nivel relativisht të ulët të shfrytëzimit të burimeve të saj të ujërave të ëmbla.
Sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), Shqipëria përdor 10.5% të burimeve të rinovueshme të ujit, duke u renditur dukshëm poshtë vendeve të Mesdheut që përballen me presion të lartë mbi rezervat ujore.
Ky tregues, i njohur si norma e përdorimit të ujërave të ëmbla, mat raportin mes sasisë së ujit të tërhequr nga lumenjtë, liqenet dhe rezervuarët dhe burimeve të disponueshme natyrore. Sa më e lartë të jetë kjo përqindje, aq më i madh konsiderohet presioni mbi rezervat ujore të një vendi.
Shqipëria renditet pas Danimarkës, e cila regjistron një normë prej 12.9%, por mbi Maqedoninë e Veriut me 9.9%, Francën me 9%, Poloninë me 8%, Belgjikën me 5.3%, Bosnjë-Hercegovinën me 5% dhe Gjermaninë e Holandën me nga 4.1% secila.
Mesdheu përballet me presionin më të madh
Të dhënat tregojnë një kontrast të fortë mes Shqipërisë dhe vendeve të Mesdheut, ku presioni mbi burimet ujore është shumë më i lartë.
Në krye të listës renditet Qiproja, e cila përdor 92.1% të burimeve të saj ujore, një nivel që konsiderohet kritik për qëndrueshmërinë afatgjatë. Pas saj vijnë Malta me 66.7%, Greqia me 37.4%, Turqia me 36.7%, Rumania me 33.9%, Portugalia me 30.7%, Italia me 27.2% dhe Spanja me 26.5%.
Krahasuar me këto vende, Shqipëria përdor rreth katër herë më pak ujë se Greqia, gati tre herë më pak se Italia dhe mbi tetë herë më pak se Malta.
Avantazh natyror, por jo pa rreziqe
Pozicioni relativisht i favorshëm i Shqipërisë lidhet me burimet e shumta ujore, reshjet relativisht të larta dhe praninë e një rrjeti të gjerë lumenjsh. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike, valët e të nxehtit dhe periudhat më të shpeshta të thatësirës mund të rrisin presionin edhe mbi vendet që aktualisht konsiderohen të pasura me ujë.
Në vitet e fundit, disa zona të Shqipërisë kanë përjetuar periudha të gjata thatësire gjatë verës, ndërsa sektori i bujqësisë mbetet konsumatori më i madh i ujit.
Të dhënat e EEA-së i referohen tremujorit të tretë të vitit 2023 dhe tregojnë se, ndonëse Shqipëria nuk përballet aktualisht me stresin e lartë ujor që karakterizon shumë vende mesdhetare, menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve ujore mbetet një sfidë e rëndësishme për të ardhmen.


