Shqipëria përballet me nevoja të mëdha financiare për t’u përshtatur ndaj ndryshimeve klimatike, me një faturë të përgjithshme të vlerësuar në 9.8 miliardë dollarë amerikanë për zbatimin e 66 masave prioritare të përshtatjes të parashikuara në Planin e Zbatimit të NAP-it (Planit Kombëtar të Përshtatjes) 2026–2036.
Sipas dokumentit, pesha më e madhe e kësaj fature bie mbi zhvillimin urban dhe infrastrukturën me rreth 2.7 miliardë dollarë amerikanë, e ndjekur nga pylltaria me rreth 2.1 miliardë dollarë amerikanë, transporti me rreth 2.03 miliardë dollarë amerikanë dhe energjia me rreth 1.96 miliardë dollarë amerikanë, ndërsa bujqësia vlerësohet të ketë nevoja më të moderuara në nivelin 0.6–0.7 miliardë dollarë amerikanë, në një kohë kur turizmi dhe masat ndërsektoriale përbëjnë një peshë relativisht të vogël të kostos totale, përkatësisht rreth 0.8 miliardë dollarë amerikanë dhe rreth 0.3 miliardë dollarë amerikanë.
Kur këto shuma përkthehen në plane vjetore dhe krahasohen me PBB-në aktuale të vendit, e vlerësuar në 28.37 miliardë dollarë amerikanë për vitin 2025, rezulton se shpenzimet afatshkurtra për periudhën 2026–2028 arrijnë një mesatare prej 180.6 milionë dollarësh amerikanë në vit, që përfaqësojnë rreth 0.6% të PBB-së, ndërsa për periudhën afatmesme 2029–2032 nevojitet një investim mesatar vjetor prej 652.4 milionë dollarësh amerikanë ose rreth 2.3% e PBB-së.
Në horizontin afatgjatë 2033–2042, investimi mesatar vjetor parashikohet të jetë 664.9 milionë dollarë amerikanë, sërish rreth 2.3% e PBB-së së vitit 2025.
Edhe pse fatura prej 9.8 miliardë dollarësh amerikanë duket e lartë, ky nivel investimi konsiderohet i realizueshëm fiskalisht, sidomos nëse mbështetet nga financime koncesionare, alokime buxhetore të fazuara dhe integrim i plotë në kuadrot kombëtarë të investimeve publike, ndërkohë që kostoja e mosveprimit do të ishte shumëfish më e rëndë pasi dëmtimet klimatike mund të zhbëjnë vite zhvillimi ekonomik e social, thuhet në dokument.
Sipas Planit, investimi në përshtatje shihet si thelbësor jo vetëm për ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe rritjes ekonomike, por edhe për një përfitim të drejtpërdrejtë financiar e shoqëror.
Kjo pasi parandalimi i humbjeve të mundshme vlerësohet në më shumë se 17 miliardë dollarë amerikanë, potenciali ekonomik i përshpejtuar në 5.3 miliardë dollarë amerikanë dhe përfitimet shtesë sociale e mjedisore në 2.5 miliardë dollarë amerikanë, duke krijuar një ndikim të përgjithshëm prej gati 24.8 miliardë dollarësh amerikanë ndaj një shpenzimi prej 9.8 miliardë dollarësh amerikanë dhe një raport përfitim-kosto prej afërsisht 2,5./ekofin.al
