IEVP Lezhë vijon të funksionojë si institucion tranzitor për personat me probleme të shëndetit mendor, përkundër mbipopullimit dhe kushteve të papërshtatshme që bien ndesh me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Avokati i Popullit, nëpërmjet Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT), ka realizuar vizita inspektuese përgjatë vitit 2024 në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Lezhë, me fokus të veçantë trajtimin dhe respektimin e të drejtave të personave me çrregullime të shëndetit mendor.
Gjetjet janë shqetësuese: në muajin prill 2024, në këtë institucion ishin akomoduar 444 pacientë meshkuj me masa mjekësore – ndonëse kapaciteti zyrtar i institucionit është vetëm 280 shtretër. Nga këta, 308 janë me masë mjekësore “mjekim i detyruar”, dhe 132 me “shtrim të përkohshëm”. Kjo shifër paraqet një rritje krahasuar me vitin 2023, duke reflektuar një situatë në përkeqësim të vazhdueshëm.
Pavarësisht se IEVP Lezhë konsiderohet një strukturë tranzitore, ende mungon Institucioni i Posaçëm Mjekësor, i parashikuar në ligjin “Për shëndetin mendor” dhe në marrëveshjen ndërinstitucionale midis Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Shëndetësisë. Komiteti për Parandalimin e Torturës në Këshillin e Evropës (KPT) ka theksuar nevojën për përparim konkret në ndërtimin e këtij institucioni dhe sigurimin e një kuadri të qartë ligjor dhe buxhetor për funksionimin e tij.
Gjendja e raportuar përfshin: mungesë të stafit mjekësor, mjedise të papërshtatshme, mungesë të pajisjeve mjekësore funksionale, përdorim të shtretërve marinar dhe pamundësi për stërvitje fizike ditore në natyrë. Këto kushte vlerësohen si çnjerëzore dhe degradues, në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ky vlerësim u konfirmua edhe nga vendimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), në rastin “Strazimiri kundër Shqipërisë”.
Gjykata theksoi dështimin afatgjatë të shtetit shqiptar për të ndërtuar një institucion të posaçëm mjekësor dhe mbajtjen e pacientëve në burgje në vend të trajtimit në kushte të përshtatshme.
Raporti thekson se mungesa e këtij institucioni është në kundërshtim me detyrimet e saj ligjore të brendshme dhe përbën problem strukturor, duke i shkaktuar edhe një dëm ekonomik shtetit shqiptar.
Situata e pacientëve me shëndet mendor në sistemin penitenciar mbetet një plagë e hapur në sistemin e drejtësisë dhe shëndetësisë shqiptare dhe dështimi për të garantuar trajtim dinjitoz dhe ligjor për këta persona po kthehet në një problem të madh strukturor dhe ligjor për shtetin. /ekofin.al
