Nga Riviera shqiptare te qytetet historike të Europës Lindore, këto janë vendet më në trend për një arratisje të shpejtë
Nëse po kërkon një arratisje të fundit pa shumë planifikim, Shqipëria po renditet ndër destinacionet më të preferuara në Europë. Sipas raportit “Travel Horizons” të lastminute.com, bregdeti shqiptar ka njohur një rritje të ndjeshme të rezervimeve në vitin 2025, duke u kthyer në një nga zgjedhjet më të kërkuara për turistët europianë.
Rritja e interesit vjen pas disa vitesh promovimi nga rrjetet sociale, ku Riviera shqiptare është cilësuar shpesh si “Maldivet e Europës”. Destinacionet më të frekuentuara mbeten Ksamil, Sarandë dhe Dhërmi, ndërsa shumë vizitorë zgjedhin të përfshijnë edhe Tiranë në itinerarin e tyre për të njohur historinë dhe jetën urbane të vendit.
Por përveç Shqipërisë, raporti evidenton edhe disa destinacione të tjera në Europë që kanë parë rritje të fortë të rezervimeve për udhëtime spontane, kryesisht në Europën Lindore dhe rajonin e Balltikut.
Në vendin e parë për rritjen më të madhe të rezervimeve renditet Gdańsk në Poloni, me një rritje prej 97% krahasuar me një vit më parë. Qyteti bregdetar në Detin Baltik shquhet për arkitekturën historike dhe lidhjen me Lidhjen Hanseatike, ndërsa zona e vjetër mbetet atraksioni kryesor për turistët.
Po në rritje të fortë është edhe Bukuresht, kryeqyteti i Rumanisë, me 71% më shumë vizitorë. I njohur për përzierjen e stileve arkitekturore, nga Art Deco te ndërtimet e periudhës komuniste, qyteti tërheq veçanërisht ata që kërkojnë eksperienca kulturore. Një nga pikat kryesore është Pallati i Parlamentit, ndërtesa më e madhe parlamentare në botë.
Në Kraków të Polonisë, rritja e vizitorëve arriti në 58%. Qyteti është i njohur për qendrën historike të mbrojtur nga UNESCO, sheshin e madh kryesor dhe trashëgiminë mbretërore, ndërsa pranë tij ndodhet edhe miniera e kripës në Wieliczka, një tjetër sit i rëndësishëm turistik.
Në listë përfshihet edhe Riga në Letoni, ku rezervimet u rritën me 40%. Qyteti ofron një kombinim të arkitekturës mesjetare dhe stilit Art Nouveau, si dhe një skenë të gjallë kulturore dhe gastronomike.
Raporti bazohet në të dhënat e udhëtarëve nga Mbretëria e Bashkuar, Italia, Franca, Gjermania dhe Spanja, dhe tregon një trend të qartë: gjithnjë e më shumë turistë po zgjedhin destinacione më pak tradicionale dhe më të përballueshme për udhëtime të shpejta.
Në këtë hartë të re turistike, Shqipëria jo vetëm që po tërheq vëmendje, por po konsolidohet si një nga alternativat më të forta për pushime spontane në Europë. /ekofin.al
