Shqipëria rezulton mes vendeve me çmimin më të lirë të energjisë për konsumatorët në Evropë. Duke nisur nga data 1 shkurt 2025, ka nisur aplikimi i çmimit të reduktuar për familjarët, ku në rastin e konsumit mujor deri në 700 kWh, qytetarët do të paguajnë 8.5 lek për kilovat, pa TVSH. Çmimi final i llogaritur, së bashku me TVSH është 10.2 lek, ose 10 cent euro për kWh. Çmimi më i lirë i energjisë, sipas përllogaritjeve të Eurostat, është në Budapest, 9.1 cent euro për kWh, ndërkohë që edhe Kievi e ka energjinë për familjarët më lirë se vendi ynë, 9.8 cent euro për kWh. Të gjitha vendet e tjera evropiane, e kanë çmimin e energjisë ndjeshëm më të lartë se Shqipëria.
Çmimet e energjisë në BE, të cilat u rritën pas pushtimit rus të Ukrainës në fillim të vitit 2022, u stabilizuan pas një viti. Gjatë vitit 2024, përgjithësisht në të gjithë Evropën, çmimet e energjisë shënuan ulje.
Faturat e energjisë luajnë një rol vendimtar në buxhetet e familjeve, pasi energjia elektrike, gazi dhe lëndët djegëse të tjera përbënin 5,5% të shpenzimeve totale të familjeve në BE në vitin 2023. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për familjet me të ardhura të ulëta, pasi ato duhet të ndajnë një pjesë më të madhe të buxhetit të tyre për kostot e energjisë.
Çmimet e energjisë për banorët, përfshirë taksat (cent euro për KWh)


Çmimi fundor më i lartë i energjisë në Evropë në vitin 2025 u regjistrua në Berlin, 40.4 cent euro/kWh, ndërsa mesatarja e BE-së ishte 25.5 cent euro për kWh.
Përveç Berlinit, qytetet më të shtrenjta për energjinë elektrike shtëpiake ishin Brukseli (38,5 c€/kWh), Kopenhaga (37,5 c€/kWh), Londra (36,8 c€/kWh) dhe Berna (36,4 c€/kWh).
Ndërsa përveç Shqipërisë, në rajonin tonë, çmime të ulëta për energjinë kanë edhe Beogradi (10,5 c€/kWh) dhe Podgorica (11,1 c€/kWh).
Çmimet e energjisë elektrike në kryeqytetet e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore priren të jenë më të ulëta se mesatarja e BE-së. Përjashtimi i vetëm ishte Praga (35.3 c€/kWh), e cila ishte i vetmi kryeqytet në rajon ku çmimet tejkalonin mesataren e BE-së.
Pse çmimet e energjisë elektrike ndryshojnë kaq shumë?
Ekspertët thonë se çmimet nominale të energjisë elektrike për banesa ndryshojnë në vende të ndryshme evropiane për shkak të faktorëve të ndryshëm specifikë të tregut. Mes tyre listohen prokurimi i furnizuesve dhe strategjitë e çmimeve, subvencionimi, përzierja e tarifave dhe masat mbështetëse, tarifat e rrjetit, etj.
Kur rregullohen me standardet e fuqisë blerëse (PPS), renditja e çmimeve të energjisë elektrike ndryshon ndjeshëm, pasi PPS ofron një krahasim më të drejtë. Si një njësi valutore artificiale, ajo eliminon diferencat e përgjithshme të nivelit të çmimeve. Të shprehura në PPS, çmimet e energjisë elektrike varionin nga 10.6 cent euro në Oslo në 43.9 cent euro në Pragë.
