Shqipëria regjistroi 2.55 milionë netqëndrime në strukturat turistike gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, me një rritje prej 8.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave më të fundit të Eurostat. Ritmi i rritjes ishte dukshëm më i lartë se në pjesën më të madhe të Ballkanit dhe, mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, u tejkalua vetëm nga Kosova, ku netqëndrimet u rritën me 14%.
Në volum të përgjithshëm, Serbia mbeti tregu më i madh mes vendeve të Ballkanit Perëndimor me 3.30 milionë netqëndrime në prill-qershor, e ndjekur nga Shqipëria me 2.55 milionë, Mali i Zi me 1.58 milionë, Maqedonia e Veriut me rreth 604 mijë dhe Kosova me 469 mijë.
Por të dhënat ndryshojnë kur merren në konsideratë vetëm vizitorët e huaj. Në tremujorin e dytë, turistët ndërkombëtarë gjeneruan në Shqipëri 1.93 milionë netqëndrime, më shumë se në Serbi, ku u regjistruan 1.60 milionë, dhe në Malin e Zi, me 1.40 milionë. Kjo e vendos Shqipërinë në krye të Ballkanit Perëndimor për numrin e net-qëndrimeve të të huajve gjatë periudhës prill-qershor.
Rreth 76% e të gjitha netqëndrimeve në Shqipëri në tremujorin e dytë erdhën nga vizitorët ndërkombëtarë. Netqëndrimet e të huajve u rritën me 8.5%, ndërsa ato të turistëve vendas me 8.4%, duke arritur në rreth 618 mijë.
Për krahasim, Serbia shënoi një rritje më të moderuar prej 3.8%, Mali i Zi 2.3%, ndërsa Maqedonia e Veriut pati rënie prej 4.4%. Kosova regjistroi rritjen më të lartë, me 14%, por mbi një bazë shumë më të vogël prej 469 mijë netqëndrimesh.
Edhe në një krahasim më të gjerë ballkanik, Shqipëria rezulton me ritëm relativisht të lartë rritjeje. Greqia, një nga tregjet më të mëdha turistike të rajonit, regjistroi 46.8 milionë netqëndrime, me rritje prej vetëm 1.7%; Kroacia kishte 23.4 milionë, por me rënie 0.4%; Bullgaria 6.3 milionë, me rënie 2.1%; ndërsa Sllovenia regjistroi 4.75 milionë net-qëndrime, me rritje 4.5%.
Shifrat tregojnë se Shqipëria mbetet ende shumë më e vogël në volum se destinacionet e konsoliduara të Mesdheut si Greqia dhe Kroacia, por po ecën me një ritëm dukshëm më të shpejtë.
Në gjashtëmujorin e parë të 2026, Shqipëria regjistroi gjithsej 3.38 milionë netqëndrime, ose 9.1% më shumë se në janar-qershor 2025. Kjo ishte rritja më e lartë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor: Kosova u rrit me 5.9%, Serbia me 5.0%, Mali i Zi me 1.5%, ndërsa Maqedonia e Veriut ra me 3.0%.
Nga 3.38 milionë netqëndrime në Shqipëri gjatë gjashtëmujorit, 2.45 milionë i përkisnin vizitorëve ndërkombëtarë, me rritje 8.7%, ndërsa turistët vendas realizuan rreth 927 mijë netqëndrime, ose 10.2% më shumë se një vit më parë.
Evropa: BE arrin rekord prej 1.3 miliardë netqëndrimesh në gjashtë muaj
Në Bashkimin Evropian, Eurostat raportoi 849.8 milionë netqëndrime në strukturat turistike gjatë tremujorit të dytë të 2026, rreth 9.9 milionë më shumë se një vit më parë, ose një rritje prej 1.2%.
Rreth një në çdo tri netqëndrime në BE u regjistrua vetëm në Itali ose Spanjë. Italia kishte rreth 148 milionë netqëndrime, ndërsa Spanja rreth 142 milionë.
Rritja më e madhe në vlerë absolute u regjistrua në Itali, me 5.5 milionë netqëndrime shtesë, e ndjekur nga Franca me rreth 2 milionë dhe Polonia me 1.3 milionë. Gjermania pati rënien më të madhe në volum, me rreth 1 milion netqëndrime më pak.
Në total, 18 nga 27 vendet e BE-së regjistruan rritje në tremujorin e dytë. Ritmet më të larta u shënuan në Lituani me 9.8%, Maltë me 9.0%, Irlandë me 5.7% dhe Poloni me 5.0%./ekofin.al

