Shqipëria vijon të përballet me një nga hendekët më të mëdhenj në transformimin digjital: mungesën e aftësive, pavarësisht përdorimit të lartë të internetit.
Sipas Indeksit për “Ekonominë Digjitale dhe Shoqërinë në Ballkanin Perëndimor” nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), vendi ka bërë përparim në akses, por mbetet dukshëm pas në kapacitete.
Në vitin 2024, përdorimi i internetit arriti në 86.1% të popullsisë, në linjë me mesataren e rajonit prej 88%, por ende nën nivelin e Bashkimit Evropian prej 92%. Megjithatë, kjo përhapje e gjerë nuk është përkthyer në aftësi konkrete digjitale. Vetëm 23.3% e qytetarëve zotërojnë të paktën aftësi bazë digjitale, shumë më pak se mesatarja e Ballkanit Perëndimor (33%) dhe larg BE-së (56%).
Hendeku bëhet edhe më i thellë në aftësitë mbi bazën, ku Shqipëria regjistron vetëm 7.8% të popullsisë, krahasuar me 9% në rajon dhe 27% në Bashkimin Europian. Këto të dhëna tregojnë se përdorimi i teknologjisë mbetet kryesisht konsumues dhe jo i shoqëruar me kompetenca për përdorim të avancuar.
Dobësitë reflektohen edhe në tregun e punës. Specialistët e teknologjisë së informacionit përbëjnë vetëm 1% të punësimit total në Shqipëri, ndërkohë që mesatarja e rajonit është 3% dhe e BE-së 5%. Kjo tregon mungesë të theksuar të kapitalit njerëzor në sektorët digjitalë dhe kufizon potencialin për zhvillim ekonomik të bazuar në teknologji.
Nga ana tjetër, bizneset po tregojnë një nivel të moderuar ndërgjegjësimi. Rreth 21.8% e ndërmarrjeve ofruan trajnime ICT për punonjësit në vitin 2024, një nivel i barabartë me mesataren e rajonit dhe BE-së (22%). Ky tregues sugjeron se kompanitë po fillojnë të investojnë më shumë në përmirësimin e aftësive, por ritmi mbetet i pamjaftueshëm për të mbyllur hendekun.
Raporti thekson se Shqipëria ka rritur fokusin strategjik në këtë fushë përmes Agjendës Digjitale 2022–2026 dhe politikave për zhvillimin e infrastrukturës dhe aftësive. Gjatë viteve 2024–2025 janë zgjeruar programet konkrete, përfshirë trajnime ICT në arsimin profesional, iniciativa për të rinjtë dhe gratë, si dhe masa për përmirësimin e aftësive në zonat rurale. Po ashtu, janë rritur investimet në infrastrukturën digjitale në shkolla dhe në trajnimin e mësuesve.
Megjithatë, pavarësisht këtyre zhvillimeve, raporti i RCC nënvizon se Shqipëria mbetet ende në fazën e kalimit nga hartimi i politikave drejt zbatimit të tyre. /ekofin.al

