Të dhënat e Eurostat dhe OECD tregojnë se Shqipëria renditet në vend të fundit në Evropë për pensionin mesatar vjetor, kjo edhe sa i përket standardeve të fuqisë blerëse PPS.
Pensioni mesatar në Shqipëri vetëm 1,648 euro në vit
Sipas Eurostat, në vitin 2022, pensioni mesatar vjetor për një përfitues në Shqipëri ishte vetëm 1,648 euro, ose rreth 137 euro në muaj. Ky është niveli më i ulët në Europë, duke vendosur Shqipërinë në fund të renditjes së vendeve si anëtare të BE-së, ashtu edhe atyre kandidate apo jashtë unionit, si Mali i Zi: 3,962 €, Serbia: 3,486 €, Bosnja dhe Hercegovina: 3,041 €, Turqia: 2,942 € dhe Bullgaria (vendi i BE-së me pensionin më të ulët): 3,611 €.
Sa është pensioni mesatar në BE?
Sipas Eurostat, në vitin 2022, shpenzimi mesatar për çdo përfitues të pensionit të pleqërisë në BE ishte 16,138 euro në vit, ose rreth 1,345 euro në muaj.
Vendet nordike kryesojnë për pensionet më të larta
Pensioni mesatar varionte nga 3,611 euro në Bullgari deri në 31,385 euro në Luksemburg. Kur përfshihen edhe vendet jashtë BE-së si EFTA dhe vendet kandidate, diferencat bëhen edhe më të mëdha – nga 1,648 euro në Shqipëri deri në 35,959 euro në Islandë.
Në Norvegji dhe Danimarkë, pensionet mesatare tejkalojnë 30,000 euro në vit, ndërsa Suedia dhe Finlanda janë mbi mesataren e BE-së.
Vendet kandidate për BE kanë pensionet më të ulëta
Përveç Shqipërisë, vendet si Turqia (2,942 €), Bosnja e Hercegovina (3,041 €), Serbia (3,486 €) dhe Mali i Zi (3,962 €) janë ndër vendet me pensionet më të ulëta.


Ekonomitë e mëdha: Italia, Franca, Spanja dhe Gjermania
Vendet e mëdha të BE-së janë mbi mesataren, me Italinë që kryeson me 19,589 €, ndjekur nga Franca, Spanja dhe Gjermania.
Hendek i thellë Lindje-Perëndim
Europa Perëndimore dhe Nordike ofron përfitime shumë më të larta. Europa Jugore renditet më mirë se Europa Lindore, por sërish më poshtë se vendet nordike. Performuesit më të dobët janë Ballkani dhe Europa Lindore.
Boshllëqet e pensioneve ngushtohen ndjeshëm në terma të PPS-së
Pabarazitë në pensionet mesatare janë dukshëm më të ngushta kur maten në standardet e fuqisë blerëse (PPS) krahasuar me termat nominalë.
Kur pensionet llogariten sipas fuqisë blerëse (PPS), për të marrë parasysh kostot e jetesës, pabarazitë zbuten, por Shqipëria sërish renditet e fundit në Europë me vetëm 3,019 PPS. Kjo tregon se edhe kur merret parasysh standardi lokal i jetesës, pensionet në Shqipëri nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar nevojat bazë.
Për shembull, brenda BE-së, raporti ndërmjet pensionit mesatar më të lartë dhe më të ulët është 8.8 në terma nominalë, por zbret në 3.5 në PPS, duke reflektuar diferencat në kostot e jetesës.
Në BE, shpenzimet mesatare të pensioneve për përfitues varionin nga 5,978 PPS në Sllovaki në 21,162 PPS në Austri. Turqia renditet dukshëm më lart në termat e PPS, me 8,128, duke e vendosur atë mbi disa vende anëtare të BE-së.


Të gjitha vendet nordike janë mbi mesataren e BE-së në shpenzimet e pensioneve, me disa të renditura ndër më të lartat në Evropë.
Pensionet ranë në tri vende në 2022
Vetëm Turqia, Irlanda dhe Greqia panë një ulje të lehtë të pensioneve në 2022. Rënia më e madhe ndodhi në Turqi për shkak të zhvlerësimit të valutës. Ndërkohë, Bullgaria shënoi rritjen më të madhe me 33%, ndjekur nga Çekia me 16%.
A mjafton pensioni për të ruajtur standardin e jetesës?
Sipas Raportit mbi Qëndrueshmërinë e Pensioneve 2024 nga Komisioni Europian dhe Komiteti i Mbrojtjes Sociale, pensionet janë gjithnjë e më shumë nën presion. Shkalla e zëvendësimit të të ardhurave parashikohet të ulet në 40 vitet e ardhshme.
Në vitin 2022, më shumë se një në pesë persona mbi 65 vjeç në BE – rreth 18.5 milionë vetë – ishin në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social. Kjo shifër po rritet për shkak të plakjes së popullsisë dhe rritjes së varfërisë relative.
Gratë marrin pensione më të ulëta se burrat
Në çdo vend të BE-së, gratë marrin pensione më të ulëta dhe janë më të ekspozuara ndaj varfërisë. Gratë në BE marrin mesatarisht 26.1% më pak pension se burrat dhe 5.3% e tyre nuk marrin fare pension.
Këto diferenca burojnë nga pabarazitë në pagë, ndërprerjet e karrierës dhe punësimi me kohë të pjesshme./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
