Bizneset shqiptare po ecin me ritme më të ngadalta drejt transformimit digjital krahasuar me Bashkimin Europian, ndërsa hendeku bëhet edhe më i dukshëm në përdorimin e programeve të avancuara të menaxhimit të biznesit si ERP, CRM dhe Business Intelligence.
Të dhënat më të fundit të Eurostat për vitin 2025 tregojnë se 53.47% e ndërmarrjeve në Bashkimin Europian përdorin të paktën një nga sistemet ERP, CRM ose BI, ndërsa 46.45% përdorin ERP, 28.51% CRM dhe 16.28% Business Intelligence.
Në Shqipëri, niveli i digjitalizimit të bizneseve mbetet më i ulët, edhe pse trendi po përmirësohet gradualisht. Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2025, vetëm 33.8% e ndërmarrjeve shqiptare përdorin shërbime cloud computing, ndërsa 28% realizojnë shitje online. Po ashtu, 86.5% e bizneseve përdorin rrjetet sociale për aktivitetin tregtar dhe komunikimin me klientët.
Krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, Shqipëria mbetet ende larg standardeve të ekonomive më të digjitalizuara. Në Finlandë, 55.79% e kompanive përdorin CRM dhe 43.42% Business Intelligence, ndërsa në Danimarkë 66.25% e bizneseve përdorin ERP dhe 41.7% BI.
Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria pozicionohet në një nivel të ndërmjetëm. Serbia dhe Mali i Zi kanë ritme më të larta të adoptimit të teknologjive të biznesit, të ndikuara nga investimet e huaja dhe integrimi më i madh me tregjet europiane. Nga ana tjetër, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova mbeten më pranë modelit shqiptar, ku dominon ende përdorimi bazik i teknologjisë dhe jo sistemet inteligjente të analizës së të dhënave.
Eurostat evidenton se diferenca më e madhe mes Europës Perëndimore dhe vendeve të Europës Juglindore shihet tek Business Intelligence. Në Bashkimin Europian, 16.28% e ndërmarrjeve përdorin BI, ndërsa në vendet më të avancuara kjo peshë kalon 40%. Në krahun tjetër, në Bullgari vetëm 6.84% e kompanive përdorin BI, në Rumani 8.15% dhe në Greqi 9.54%.
Shqipëria mbetet më afër këtij grupi vendesh sesa mesatares europiane, kryesisht për shkak të strukturës së ekonomisë. Pjesa më e madhe e biznesit vendas dominohet nga ndërmarrje të vogla dhe familjare, të cilat kanë kapacitete më të kufizuara financiare për investime në sisteme ERP, CRM apo analiza të avancuara të të dhënave.
Megjithatë, tregu shqiptar po shfaq shenja të qarta transformimi. Fiskalizimi elektronik, rritja e pagesave digjitale, zgjerimi i tregtisë online dhe presioni konkurrues nga tregjet europiane po i shtyjnë gradualisht bizneset drejt automatizimit dhe përdorimit më të madh të teknologjisë.
Sipas Eurostat, diferenca mes bizneseve të vogla dhe korporatave të mëdha mbetet shumë e lartë edhe në Europë. Vetëm 11.45% e bizneseve të vogla përdorin BI, kundrejt 69.24% të kompanive të mëdha. Për ERP diferenca është 41.08% kundrejt 88.71%. Kjo tregon se edhe në Shqipëri transformimi digjital pritet të nisë fillimisht nga kompanitë më të mëdha, bankat, telekomunikacioni dhe sektori i tregtisë moderne./ekofin.al




