Po mendoni që tani për udhëtimet e vitit 2027, por nuk dini ende ku të shkoni? Të dhënat e reja kanë zbuluar destinacionet që pritet të jenë më në trend gjatë vitit të ardhshëm dhe lista sjell disa rezultate interesante, shkruan Euronews.
Statistikat e Advantage Travel Partnership, një konsorcium me bazë në Mbretërinë e Bashkuar që përfaqëson biznese të pavarura të sektorit të udhëtimeve, e rendisin Shqipërinë si destinacionin për t’u mbajtur nën vëzhgim në vitin 2027, falë ndër të tjera plazheve të saj të bukura dhe raportit të mirë mes çmimit dhe vlerës së ofruar.
Më larg në distancë, të dhënat tregojnë se edhe Hong Kongu, Egjipti dhe Vietnami pritet të jenë destinacione të kërkuara gjatë vitit të ardhshëm.
Gjetjet tregojnë gjithashtu se kalendari i ngjeshur sportiv do të ketë ndikim të rëndësishëm në udhëtimet e vitit 2027. Ryder Cup në Irlandë, Kupa e Botës e FIFA-s për Femra në Brazil dhe Kupa e Botës e Rugby për Meshkuj në Australi pritet të nxisin rezervimet.
Edhe eklipsi diellor në Afrikën e Veriut dhe Spanjë po tërheq interes të madh nga udhëtarët e apasionuar pas astronomisë.
Të dhënat e organizatës së udhëtimeve analizuan gjithashtu tendencat e këtij viti, të cilat mund të ndikojnë në modelet e udhëtimit gjatë vitit 2027.
Për udhëtarët britanikë, Spanja ishte destinacioni kryesor gjatë verës së vitit 2026, ndërsa Tenerife, Mallorca dhe Costa Blanca rezultuan destinacionet më të njohura për udhëtime me distancë të shkurtër. Lanzarote, Costa del Sol dhe Antalya në Turqi ishin gjithashtu ndër alternativat më të kërkuara për udhëtime më të afërta.
Për sa u përket udhëtimeve në distanca të gjata, Nju Jorku, Orlando, Xhamajka dhe Tajlanda kryesuan listën e destinacioneve me më shumë rezervime.
Për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, udhëtarët që fillimisht kishin planifikuar të vizitonin këtë rajon zgjodhën në vend të tij udhëtime drejt SHBA-së, Karaibeve dhe Lindjes së Largët. SHBA-ja regjistroi një tjetër rritje të vizitorëve edhe për shkak të entuziazmit të krijuar nga Kupa e Botës.
Ndërsa rezervimet për pushime familjare shënuan rënie rreth periudhës së Pashkëve, me gjasë për shkak të konfliktit, ato u rritën me rreth 5% gjatë verës, si edhe gjatë pushimeve shkollore të tetorit.
Pushimet me itinerar po fitojnë popullaritet
Të dhënat treguan se pushimet me itinerar, pra udhëtime ku turistët ndjekin një rrugë të planifikuar përmes një rajoni ose vendi, duke lëvizur nga një destinacion në tjetrin në vend që të qëndrojnë vetëm në një vend, ishin një nga segmentet me rritjen më të madhe nga viti 2025 në vitin 2026.
Afrika e Jugut, Kenia dhe Japonia kanë qenë veçanërisht të kërkuara si destinacione në distanca të gjata, ndërsa udhëtarët kërkojnë gjithnjë e më shumë eksperienca të lidhura me natyrën e egër, kulturën dhe eksplorimin.
Më afër Britanisë, Italia, Franca dhe Spanja rezultuan vendet kryesore në tregun e udhëtimeve me itinerar në distanca të shkurtra.
“Udhëtimet me itinerar kanë qenë një histori e vërtetë rritjeje për ne në vitin 2026. Njerëzit po shohin përtej pushimeve tradicionale ku thjesht fluturon dhe qëndron në resort dhe gjithnjë e më shumë duan ta shohin dhe përjetojnë një destinacion siç duhet”, tha John Sullivan, Drejtor Tregtar i Advantage.
Për vitin e ardhshëm, ai veçoi Kinën, Indonezinë dhe Amerikën e Jugut si destinacione që duhen ndjekur.
Në vitin 2025, Kina lehtësoi kufizimet e hyrjes për qytetarët e 74 vendeve, përfshirë shumë vende europiane, të cilët tashmë mund të hyjnë në vend dhe të qëndrojnë deri në 30 ditë pa vizë.
Sipas Sullivan, kjo masë do të ndihmojë për të “hedhur më shumë dritë mbi kuzhinën, kulturën dhe natyrën e jashtëzakonshme të këtij vendi të madh”. /ekofin.al
