“Shqipëria e arriti të pamendueshmen, të gjithë kapitujt e negociatave të hapur brenda 12 muajsh, rekord absolut në procesin e integrimeve europiane!” — kështu shkruan Kryeministri Edi Rama në një publikim në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë arritje si një hap historik drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në postimin e tij, Rama theksoi se objektivi për mbylljen e negociatave brenda vitit 2027 mbetet i palëkundur, pavarësisht sfidave që shoqërojnë rrugëtimin drejt integrimit:
“Asgjë nuk na ndal dot drejt majës së Shqipërisë 2030 në BE. Sepse përtej vështirësive, pengesave, dëmtimeve të pashmangshme apo baltës së pandashme, ne po e rrisim e forcojmë muaj pas muaji Shqipërinë – me një ekonomi që po rritet, me pensionet dhe pagat që po rriten, me investimet e brendshme e të huaja që po shtohen, me mbështetjen për më të dobëtit e për të sëmurët me kancer që po zgjerohet, pa rritur asnjë taksë dhe duke përmirësuar punën e institucioneve të shtetit.”
Në të njëjtën ditë, Kryeministri Rama zhvilloi në Kryeministri një takim me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian të akredituar në Tiranë, si dhe me përfaqësues të dërguar nga disa kryeqytete europiane. Takimi u mbajt në kuadër të bashkëbisedimit të përvitshëm pas publikimit të Raportit të Progresit të BE për Shqipërinë 2025.
Në raportin e këtij viti, Komisioni Europian vlerëson angazhimin e fortë të autoriteteve shqiptare në procesin e negociatave dhe përmbushjen e kushteve të vendosura nga BE. Dokumenti thekson progresin “të paprecedent” të Shqipërisë, që nga tetori i vitit 2024 ka arritur hapjen e 28 kapitujve brenda një viti – një ritëm rekord në historinë e zgjerimit europian.
Raporti përshëndet gjithashtu përparimin në reformat themelore, veçanërisht në reformën në drejtësi, si dhe rezultatet domethënëse në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai nënvizon bashkëpunimin aktiv ndërkombëtar të Shqipërisë në këto fusha dhe rolin konstruktiv të vendit në rajon.
Më 17 nëntor 2025, Shqipëria do të hapë zyrtarisht negociatat për pesë kapitujt e përfshirë në Grup-Kapitullin 5 – “Bujqësia, Kohezioni dhe Burimet”, duke shënuar hapin e radhës në procesin e anëtarësimit. Kjo vjen pas katër konferencave ndërqeveritare të mbajtura gjatë vitit 2025, që çuan në hapjen e negociatave mbi katër grup-kapituj të tjerë.
Ky moment i rëndësishëm përfaqëson jo vetëm përparim teknik në rrugën drejt BE-së, por edhe konsolidim të qëndrueshmërisë institucionale dhe ekonomike të Shqipërisë në prag të objektivit strategjik “Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian”.

