Shqipëria po e orienton gradualisht arsimin profesional drejt aftësive që kërkojnë tranzicioni i gjelbër dhe digjital. Raporti i ri i Cedefop dhe European Training Foundation e rendit vendin mes atyre që kanë raportuar zhvillime në integrimin e aftësive digjitale, tranzicionit të gjelbër dhe qëndrueshmërisë në kurrikulat e arsimit profesional, si edhe në modernizimin e infrastrukturës së formimit profesional për këto aftësi.
Progresi po shtrihet edhe te mësuesit dhe trajnerët. Shqipëria përfshihet mes vendeve që kanë zhvilluar trajnime për stafin e arsimit profesional të lidhura me aftësitë e gjelbra, klimën dhe temat STEM të qëndrueshmërisë, ndërsa në 2024 u pilotua edhe instrumenti “SELFIE for Teachers” për vlerësimin dhe forcimin e kompetencave digjitale të mësuesve.
Paralelisht, Shqipëria po përgatit një sistem informacioni për aftësitë, që synon të lidhë më mirë arsimin profesional me kërkesën e tregut të punës. Ai parashikon një anketë kombëtare vjetore për ndjekjen e të diplomuarve, vlerësime të nevojave për aftësi në ICT, turizëm dhe hoteleri, si dhe analiza sektoriale për aftësitë e gjelbra dhe digjitale. Platforma e Observatorit të Informacionit të Tregut të Punës është projektuar gjatë periudhës së monitorimit dhe është ende në proces ngritjeje.
Raporti evidenton gjithashtu përparim në arsimin dual. Në të gjitha shkollat profesionale janë ngritur njësi zhvillimi që mbulojnë lidhjet me bizneset, praktikat profesionale, orientimin në karrierë dhe ndjekjen e nxënësve, ndërsa në 2025 u miratua programi kombëtar për trajnimin e mentorëve në kompani që punojnë me nxënësit e arsimit dual. /ekofin.al
